LONDER - Pavarësisht vështirësive me të cilat u përball Wikileaks në 2012, Julian Assange bëri të ditur se do të publikojë më shumë se 1 milionë dokumente të reja vitin e ardhshëm.

Në fjalimin e tij të mbajtur për krishtlindje nga ballkoni i ambasadës ekuadoriane në Londër, ai i bëri thirrje njerëzve të vazhdojnë të luftojnë për demokraci. Themeluesi i Wikileaks u shfaq në orën 19:00 duke përshëndetur turmën që ndodhej në rrugë.

Assange tha se u ishte shumë mirënjohës të gjithë njerëzve të cilët i kishin siguruar një strehim dhe mbështetje Wikileaks dhe përmendi emrat e personave të tjerë të cilët ndryshe nga ai sot ishin në burg.

“Liria ime është e limituar por së paku kam mundësi të komunikoj, ndryshe nga Gottfrid Svartholm, Jeremy Hammond, Nabeel Rajab, Bradley Manning" tha Asanzhe.

Themeluesi i Wikileaks deklaroi se dokumentet e reja do të mbulojnë të gjitha vendet e botës, ndërsa ka shtuar më tej se nuk do të jetë i “frikësuar” dhe se do të tregojë gjithçka.

(sg/Gre.M/Shqiptarja.com)