At Nikolla Marku: Pas ngjarjeve të
Përmetit, Janullatos e ‘Agimi i Artë’

At Nikolla Marku: Pas ngjarjeve të<br />Përmetit, Janullatos e ‘Agimi i Artë’
ELBASAN- Ngjarjet e ndodhura gjatë ditëve të fundit në Përmet për godinën e cila prej disa vitesh është kthyer në Kishë, ndërsa më parë ka qenë Pallati i Kulturës; kanë ngjallur reagimin edhe të famulltarit të Kishës Autoqefale në Elbasan, At Nikolla Marku.
 
Sipas tij, “Pas qendrimeve të priftërinjve të Përmetit fshihet Anastas Janullatos dhe shovinistët e “Agimit të Artë”, të cilët kanë për qëllim përçarjen e komunitetit ortodoks në Shqipëri”.
 
Sipas një artikulli të botuar në gazetën “Tema”, At Nikolla Marku ka dënuar ashpër veprimet dhe qendrimet e priftërinjve të Përmetit, madje ka shkuar deri aty sa i ka cilësuar ata si pseudopriftërinj.
 
“Pas asaj shfaqjeje të turpshme del Mitropolia greke e Korçës bashkë me komandatin fetar të “Agimit të Artë” dhe Vorio-Epirit, Anastas Janullatos. Të çudit Policia e Shtetit që mban qëndrim asnjanës. Si mund të rrijë Policia e Shtetit indiferente ndaj ngjarjeve të tilla që e ka për detyrë të parandalojë konflikte të mundshme që mund të përfundojnë edhe me lëndime njerëzish edhe pse jo edhe me vrasje. Si guxon Kisha Ortodokse Greke të flasë e të bëjë presion ndaj Kishës Ortodokse Shqiptare dhe Shtetit shqiptar? Me ç’të drejtë ndërhyn në punët e shtetit të pavarur e një kishe të pavarur ortodokse sic është Kisha shqiptare? Çfarë kërkon ministria e Jashtme greke dhe shtypi i saj me deklarata e prononcime shoviniste kundër institucioneve të shtetit shqiptar si dhe kundër njerësve që mbrojnë ligjin e të drejtën e besimit?”, është shprehur At Marku.
 
Duke akuzuar ashpër kreun e Kishës Ortodokse, Janullatos, por edhe krerë të politikës si ai i PBDNJ e Omonia, At Nikolla Marku kërkon reagimin e intelektualëve shqiptarë dhe ortodoksëve shqiptarë, kundër këtyre ndikuesve, sipas tij, negativë në ngjarje si ajo e Përmetit.
 
“Kërkojmë mbështetjen e intelektualëve të vendit tonë, kërkoj zgjimin nga gjumi të Policisë e Prokurorisë së shtetit ku Janullatos ka kryer vepër penale dhe organizime të tipit Kosinë, Himarë, Përmet. Ne nuk do të rrimë duarkryq ndaj besimtarëve të Përmetit, por dhe gjithë Shqipërisë. Ata që ushtrojnë dhunë si në rastin e Përmetit nuk janë as priftërinj as besimtarë. Ata janë banditë të paguar e të udhëzuar nga Janullatos. Reagimi ynë si ortodoks dhe shqiptar që e duam vendin e popullin tonë do të jetë i menjëhershëm. Askush nuk do të mund të përdhosë vlerat e besimit fetar në Shqipëri, por dhe vlerat tona kombëtare në përgjithësi”, tha at Marku.
 
“Çfarë po na shohin sytë? Një grup arrogantësh të mbledhur si helmi i gjarprit në autobuzë, disa të veshur me rrobat e priftit, ushtrojnë dhunë skandaloze ndaj punonjësve të veshur me uniform. Si është e mundur që qytetarët e Përmetit bëjnë sehir një turp të tillë? Janullatos, misionit tënd shovinist në dëm të Shqipërisë po i vjen fundi. Të paralajmëroj drejtpërdrejt se po vazhdove me lojëra të tilla si në Përmet do të mbash përgjegjësi direkt për ato çka do të ndodhë më pas. Po shkojmë me autobus të mbrojmë vlerat historike të vendit tonë. Askush në Shqipëri nuk kërkon të marrë kisha me forcë në dëm të besimtarëve ortodoksë, por problem në Shtëpinë e Kulturës në Përmet është çështja që zgjidhet me drejtësi dhe jo me konflikt. Bashkia e Përmetit duhet të kishte gjetur një zgjidhje alternative për pretendimin e saj ndaj kësaj godine”, përfundoi ai.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali me mbetjet toksike, sipas jush e kujt është përgjegjësia?



×

Lajmi i fundit

Stresi shpreh dëshirën për t’u bërë baba, por ja çfarë e shqetëson atë

Stresi shpreh dëshirën për t’u bërë baba, por ja çfarë e shqetëson atë