Vangjeli: Ata që kanë kodet e parave takuan Dumanin, Sadushin e Metanin

Vangjeli: Ata që kanë kodet e parave takuan Dumanin, Sadushin e Metanin

Apartamenti i Llallës në plazhin e Durrësit i kthyer në qendër sociale

Ish-apartamenti i plazhit që ishte projektuar t’i shërbente një ish-kryeprokurori kur të vishte rrobat e banjos, është sekuestruar dhe u kthye në qendër sociale për të rinjtë. Një tjetër ndërtim masiv luksoz, po mbi det, do të shërbejë si hotel pushimi për policinë shqiptare dhe kosovare. Në total, për më pak se një vit, janë sekuestruar më shumë se 100 milionë euro pasuri të rrjedhura nga krimi. E gjitha kjo është vetëm një pikë uji në detin e thellë të abuzimit me paratë publike apo si fryt i pastrimit të parave të pista. E megjithatë ka filluar.

E megjithatë është vetëm fillimi i një procesi që ngjan logjikisht i pamundur për të ndjekur, identifikuar dhe sekuestruar çdo para të pistë, e cila ka krijuar jo dhe aq gradualisht, një shtresë siameze milionerësh: njëri binjak me kravatë politike dhe tjetri me pasaportë banditi. Ky është një process që mund të ketë ulje-ngritjet e tij, mund të ketë dhe kthime të befasishme pas, mundet edhe që të dështojë për ta kthyer përfundimisht Shqipërinë në një vend me demokraci të dështuar, por me shumë shanse, pavarësisht kostos, mund edhe të ecë përpara.

Bindja popullore se harami nuk bëhet kurrë hallall, ka përballë një sfidë herkuliane për t’u vërtetuar në Shqipërinë e të nesërmes së afërt. Në një shoqëri moralisht të korruptuar që njeh si perëndi vetëm paranë dhe që njeh vetëm paranë si asetin që blen zotësinë, kjo sfidë është gati në kufijtë e të pamundurës. Skeptikët mund të llogarisin se mëkatarët e vegjël lokalë mund ta kenë pësuar nga njëri-tjetri apo dhe vetë Perëndia, por jo se janë ndëshkuar nga drejtësia. Dhe në këtë pikë, ata janë në epërsi të padiskutueshme.

Në Shqipëri, vullnetet dhe mjetet lokale, burimet njerëzore dhe aftësia për ta kryer këtë operacion mbi tumorin e frikshëm të korrupsionit, janë të kufizuara. Vetëm ndihma dhe asistenca ndërkombëtare, ajo amerikane kryesisht, mund të garantojnë së pari paprekshmërinë e gjuetarëve të korrupsionit dhe së dyti, mbështetjen e tyre për t’ia dalë në një mjedis acid, ku duket se të ndershëm kanë mbetur vetëm ata që nuk kanë pasur mundësi të korruptohen. Sekretari Blinken e dha mesazhin e tij simbolik në Tiranë. Duke takuar gjithë pikat kyçe të sistemit të drejtësisë, ai dëshmoi pikërisht këtë gjë: tani është radha që ky pushtet i ri, i rikthyer publikut për herë të parë, do të duhet të ekuilibrojë dhe balancojë pushtetet e tjera. Duke nisur me ndëshkimin fillimisht e më pas, me kismet në kushtet e urgjencës, edhe me dhënien e drejtësisë.

Pak e kanë kuptuar një mesazh të tillë. Sepse ndodh si në eksperimentin e famshëm me bretkosën. Nëse amfibi i vogël hidhet në një kovë më ujë të nxehtë, ai kërcen direkt për të dalë jashtë saj, por nëse atë e ve në një enë me ujë të ftohtë që e nxeh gradualisht, bretkosa do të ngordhë brenda e zierë. Pa kuptuar se çfarë po i bën uji. Fiks kjo gjë po ndodh me një soj bretkosash njerëzore që pushteti që ju dha para, i shndërroi papritur në princa plot shkëlqim. Individë me pushtet të djeshëm dhe të sotëm, nga ata që nuk kishin me shumë se dy palë pantallona në garderobë dikur, në pak vjet në pushtet, nuk janë më në gjendje të numërojnë paratë, metrat katrorë të pronave të tyre, udhëtimet me çarter, kilogramët e floririt dhe të bizhuve e çdo lloj tjetër luksi që e përdorin për të lyer fundshpinën, si ata që bien në kos, pra, e gjithë kjo kategori individësh, papritur po shohin se ndodhen në kovën që po zien.

Ca pak që e kuptuan që në fillim dhe parashikuan se çdo të ndodhë ikën, të tjerë kanë pritur me shpresë se nuk do t’i kapë vala dhe presin nëse do të ketë shans të pengohet përvëlimi. Por po ndodh. Fatkeqësisht, me të thatin do të ikin dhe ca të njomë, si efekt anësor, por kjo është situatë lufte. Një luftë edhe me e egër se ato që shqiptarët kanë bërë edhe me pushtuesit e tyre më të egër.

Logjikisht shumë do t’i shpëtojnë kovës me ujë të nxehtë. Por me shumë gjasa, apartamente të tjerë, vila rezidenciale, makina dhe mbi të gjitha para me shumë zero më pas që kanë përfunduar në banka të perëndimit, do të rikthehen në Tiranë. Sepse çelësat e bankave janë në duart e atyre që takuan Dumanin, Sadushin, Zaçajn e Metanin.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

FOTO/ Puka mbulohet nga dëbora, bardhësia zbukuron qytetin

FOTO/ Puka mbulohet nga dëbora, bardhësia zbukuron qytetin