Ata që nuk shohin harmoninë fetare

Ata që nuk shohin harmoninë fetare
Në shkollën time asnjëherë, askush nuk diskriminohej, tallej, izolohej sepse ishte katolik, musliman apo ortodoks, pastaj edhe në punë, asnjë prej kolegëve nuk e kemi “peshuar” nga përkatësia fetare, madje në 90 përqind të rasteve as nuk kam pyetur apo ditur se cilës fe i përkisnin. Asnjëherë.

Dhe në familjet tona të gjithë kemi njohuri, dimë, praktikojmë zakone që lidhen me fenë e familjes ku lindëm. Në një familje të mesme shqiptare, prindi nuk e dëbon, persekuton, apo vret vajzën që ka zgjedhur të konvertohet në katolike apo ortodokse. Në shtëpinë e mikeshës time ajo vetë është myslimane, bashkëshorti ortodoks, një prej vajzave ka zgjedhur të pagëzohet katolike dhe vajza tjetër ortodokse. Dhe është një nga familjet më të bukura e harmonike që unë kam parë.

Jemi indiferentë ndaj fesë? Edhe kjo rrëzohet po të shohësh kishat e xhamitë se si janë plot, sidomos me të rinj, disa dhe ekstremistë që marrin rrugët drejt Sirisë, apo krekosen dhe fryhen nëpër institucionet fetare të disa qyteteve, madje dhe Tiranës. Por shqiptarët i mbajnë të izoluar edhe këta: i lënë ashtu të grumbulluar në një lagje, në një xhami, pa i fërkuar kokën apo u rënë shpatullave.

Kur Papa Françesku zgjodhi Tiranën për ta vizituar duke vlerësuar harmoninë tonë fetare, unë i besoj, jo sepse është Papa i Vatikanit, por besoj te Françesku, një njeri i vërtetë, i drejtpërdrejtë dhe i mirë. Papa Francesku kërkon dhe promovon pozitivitetin e jetës, të mirën, harmoninë dhe për mua personalisht, vlen kjo mbi të gjitha fetë, filozofitë dhe dogmat që kanë mbushur në shekuj kokat, mendjet dhe shpirtërat e njerëzve. Më falni, por  nuk dua të lexoj, dëgjoj apo promovoj analizat e disa kolegëve, ku çdo rresht të përplaset në fytyrë nga egoja e madhe. Mendjemadhësia të serviret si mendim i kundërt, duke mohuar dhe të vërteta të prekshme.

Kohët e fundit një erë pozitiviteti po fryn dhe në Shqipëri: dikush kërkon të vendosë në piedestal vlerat pozitive të jetës, dikush të vendosë rregulla, drejtësi, barazi. Eshtë një tentativë e vështirë, që aplikohet në vendin e stampuar nga filozofia që më i rëndësishmi është më i forti, krimineli, hajduti e dinaku. Janë tentativa që kërkojnë një shpirt pozitiv, konstruktiv dhe kjo farë që ka nisur të mbijë duhet ujitur, ushqyer dhe trajtuar mirë.

Në këtë atmosferë po shihet, promovohet dhe vlerësohet dhe e çmuara Harmoni Fetare. Ajo që është mes nesh si një gur i zakonshëm në themelin e shoqërisë, por që ne nuk e kemi parë, nuk e kemi vlerësuar.
Atëherë Papa, apo duartrokitjet e francezëve në Paris, janë sinjale që na thonë: hapni sytë. Nuk jeni vetëm vendi i trafikantëve të kokainës që kanë kapur elitën e shoqërisë, apo i trafikantëve të prostitutave që me shfrytëzimin e vajzave ngrenë pallate shumëkatëshe ku në krijojmë shtëpitë...

Prandaj refuzoj të lexoj e të pranoj kundërshtimin apo mohimin nga shqiptarë, nga kolegë, nga politikanë mbi Harmoninë tonë Fetare.

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Habit neurokirurgu i njohur: ‘Pas 10 vitesh, komunikim në distancë përmes telepatisë!’  Rama: Na tmerrove fare...!

Habit neurokirurgu i njohur: ‘Pas 10 vitesh, komunikim në distancë përmes telepatisë!’ Rama: Na tmerrove fare...!