TIRANE - Për të rindërtuar edhe njëherë mekanizmin se si kanë ndodhur ngjarjet e dy netëve më parë në Tiranë, policisë dhe grupit hetimor iu nevojitet, veç dëshmive të të mbijetuarve, edhe pamjet filmike. Kur kanë kaluar më shumë se 24 orë nga dy ngjarje të njëpasnjëshme, rindërtimi i të cilave është huazuar nga dëshmitë e të mbijetuarve, policia ende nuk ka të qartë se çfarë ka ndodhur vërtetë me dy ngjarje të ndara, personazhet e të cilave vijnë nga i njëjti ‘grup’.

Të sulmuarit, pjestarët e grupit të Shullazit, gjatë dëshmive të tyre, nuk kanë dhënë asnjë detaj të vlefshëm për hetimin, ndërsa policia i ka varur shpresat pikërisht tek efektivi i skuadrës operacionale të Policisë së Shtetit, Roland Meta. Ky i fundit, ndonëse në gjendje të rëndë shëndetësore, është prangosur në spital, pasi ka dyshime se atentatori është vrarë prej tij. Policia e Tiranës, në një reagim zyrtar ditën e djeshme, ndryshon dinamikën e krimeve, ndërsa bën me dije se atentati në Qafë-Kashar, ndaj Emiljano Shullazit dhe Gilmando Danit ka ndodhur para sulmit me armë në ‘Rrugën e Kavajës’, ku u plagosën dy persona dhe u vra një tjetër.

Po ndërsa policia jep emrat e shënjestrave dhe të viktimës, ende nuk dihet se kush ishte pala tjetër që kishte shënjestruar në dy kohë Emiljano Shullazin dhe të tijët. Përgjatë ditës së djeshme, i vetmi fakt që është konkretizuar, lidhet me vënien nën akuzë të specialit të Policisë, i cili u gjend në tavolinën e personave mbi të cilët qëlloi Artur Baze, personi që më pas u qëllua për vdekje dhe që policia e etiketoi si ‘vrasës me pagesë’.      

Ngjarjet sipas policisë
Policia e Tiranës, ditën e djeshme, me anë të një reagimi zyrtar ka bërë publike disa detaje mbi atentatet e njëpasnjëshme të ndodhura në rrugën e Kavajës dhe në Qafë-Kashar. Ekspertët e policisë pretendojnë se atentati ndaj Shullazit dhe mikut të tij Dani ka ndodhur rreth 10 minuta para se të ndodhte përleshja me armë në rrugën e Kavajës. Në reagim, policia rendit si ngjarje të parë, në fakt, ngjarjen e rrugës së Kavajës ku saktëson se: ‘Më datë 05.01.2015, rreth orës 19.40, në rrugën e Kavajës, në Tiranë, është vrarë si pasojë e një shkëmbimi zjarri, shtetasi Arjanit Sterio Alias, 42 vjeç, banues në Tiranë.

Paraprakisht, dyshohet se viktima ka tentuar të vrasë me armë zjarri pistoletë shtetasit; Pajtim Serjani, 32 vjeç, Denis Ramani, 28 vjeç, Ditmir  Reçi, 34 vjeç dhe Roland Meta, 37 vjeç, ky i fundit me detyrë punonjës policie pranë Njësisë së Operacioneve Speciale. Fillimisht, është plagosur në pjesën e këmbës shtetasi Pajtim Serjani, i cili menjëherë pas ngjarjes është transportuar për në spital.

Ndërkohë, gjatë këtij shkëmbimi zjarri ka ndërhyrë punonjësi i policisë Roland Meta, ku më pas sulmi ka vijuar duke mbetur i vrarë shtetasi Arjanit Sterio dhe është plagosur rëndë punonjësi i policisë Roland Meta. Nga një analizë e hollësishme e bërë, lidhur me veprimet dhe mosveprimet e punonjësit të policisë është bërë dhe arrestimi në flagrancë i tij’.
 
Shullazi u qëllua para se të qëllohej grupi 
Policia zbardh pritën që u ngrit në Qafë-Kashar
Policia e Tiranës, ka bërë me dije ditën e djeshme se atentati ndaj Shullazit dhe mikut të tij ka ndodhur 10 minuta para se të qëllohej mbi shokët e tij në rrugën e Kavajës. Gjithçka është mësuar pasi janë raportuar disa informacione se në rrugën e Rinasit ëhstë qëlluar me breshëri automatiku. Policia ka qenë e angazhuar me ngjarjen e ndodhur në Tiranë, kur është sinjalizuar për një mjet të braktisur, ndërsa emrat e personave të gjuajtur, janë mësuar vetëm pasi policia ka mbërritur në spitalin ushtarak për të mësuar hollësi për ‘betejën’ e rrufës së Kavajës.

Sipas policisë, zyrtarisht saktësohet se: Më datë 05.01.2014 nga Seksioni Kundër Akteve Terroriste, filloi procedimi penal dhe punohet për kapjen e autorëve, pasi mbrëmë rreth orës 19.30, në fshatin Bërxullë, në afërsi të mbikalimit ‘Kashar’, është tentuar të vritet me armë zjarri shtetasi Emiljano Shullazi dhe Gilmando Dani, të cilët përgjatë momenteve të ngjarjes po udhëtonin me automjetin e tyre, tip Golf 4, me targë AA629HR. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri, ka mbetur i plagosur shtetasi Emiljano  Shullazi, 36 vjeç, dhe Gilmando Dani, 36 vjeç.
 
Prangoset speciali i policisë, vrau atentatorin 
Roland Meta u plagos në tavolinë me miqtë e Emiljano Shullazit

36-vjeçari, Roland Meta, nga Tirana, i punësuar në Njësinë Operacionale të Policisë së Shtetit, është personi i vetëm i arrestuar për dy ngjarjet e ndodhura mbrëmjen e së hënës në Tiranë. Ai është gjendur në vendin e gabuar dhe në kohën e gabuar, kur një person ka qëlluar mbi tavolinën në të cilën qëndronin, efektivi dhe tre persona të tjerë, ndër ta edhe një prej shokëve të njohur të Emiljano Shullazit. Mbi Metën kanë rënë dy plumba, ndërsa dyshohet se ka qenë pikërisht arma e policit që ka qëlluar mbi atentatorin, që desh iu mori jetën katër personave.

Megjithatë policia ka nxjerrë edhe një akuzë për kolegun e vet, duke u bazuar në faktin e vendndodhjes së tij, pasi sipas tyre ka qenë jashtë orarit të punës. “Nga një analizë e hollësishme e bërë, lidhur me veprimet dhe mosveprimet e punonjësit të policisë, është bërë dhe arrestimi në flagrancë i tij’, ka sqaruar policia e Tiranës, ditën e djeshme në lidhje me arrestimin në spital të Metës. Ndonëse efektivi e ka kaluar rrezikun serioz për jetën, mësohet se vijon të jetë në gjendje të rëndë, pasi të dy plumbat e kanë marrë në trup.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 7 janar 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)