Atentati i dyshuar ndaj Trump, Prokuroria e SHBA: Ryan Routh nën akuzë për përpjekje për të vrarë një kandidat për president

Atentati i dyshuar ndaj Trump, Prokuroria e SHBA: Ryan Routh nën akuzë për përpjekje për të vrarë një kandidat për president

Ish-presidenti Donald Trump dhe i dyshuari Ryan Routh

SHBA- Ryan Routh, 58 vjeç, që sipas autoriteteve qëndroi 12 orë në pritje të Donald Trumpit, pranë klubit të tij të golfit dhe shkroi në një letër dëshirën për ta vrarë, u vu të martën nën akuzë për përpjekje për të vrarë një kandidat për president.

Ndaj Ryan Routhit rëndojnë dy akuza të tjera për armëmbajtje të paligjshme.

Akuzat pasqyrojnë vlerësimin e Departamentit të Drejtësisë se ai thuri plane për të vrarë kandidatin republikan, ndërsa drejtoi një armë gjysmë automatike në fushën e golfit në West Palm Beach të Floridas, ku po luante zoti Trump, në 15 shtator.

Ai shkroi një letër në të cilën përshkruante qëllimet e tij.

Çështja i është caktuar gjyqtares Aileen Cannon, e cila në korrik rrëzoi një padi ndaj ish-Presidentit që e akuzonte për marrjen e dokumenteve të klasifikuara në pronën e tij në Mar-a-Lago të Floridas.

Aktakuza ishte paralajmëruar gjatë një seancës dëgjimore të ditës së hënë, në të cilën prokurorët argumentuan se 58-vjeçari duhet të qëndronte pas hekurave pasi përbënte rrezik për sigurinë publike .

Ata thanë se i dyshuari kishte lënë një letër disa muaj para se të arrestohej në 15 shtator, e cila bazohej në hipotezën se përpjekja për ta vrarë ish-Presidentin do të dështonte dhe se ai ofronte 150 mijë dollarë për këdo “që do ta mbaronte këtë punë”.

Prokurorët thanë ai kishte mbajtur një listë me data përgjatë muajve gushtit, shtator dhe tetor dhe vendet ku kishte qenë apo pritej të shkonte zoti Trump.

Mundësia për ta qëlluar ish-Presidentin u pengua nga një agjent i Shërbimit Sekret i cili vuri re të armën e të dyshuarit, në shkurret në fushën e golfit në West Palm Beach të Floridas, ku po luante zoti Trump.

Agjenti qëlloi në drejtim të të dyshuarit, i cili u largua me shpejtësi, por më pas u ndalua nga autoritetet në një rajon aty pranë.

Shërbimi sekret ka deklaruar se i dyshuari nuk qëlloi dhe në asnjë rast nuk arriti të kishte një pamje të drejtpërdrejtë të ish-Presidentit, por ai la pas një kamera digjitale, një çantë shpine, një armë gjysmë automatike të mbushur me municion (SKS) dhe një qese plastike me ushqime.

Arrestimi i tij ndodhi dy muaj pasi ish-Presidenti Trump u qëllua dhe mori plagë në vesh në një atentat gjatë një tubimi zgjedhor në Butler të Pensilvanisë. Shërbimi Sekret ka pranuar dështimet që ndikuan në ngjarje, por është shprehur se masat e sigurisë kanë qenë të duhurat për penguar një sulm të mundshëm në Florida.

Fillimisht ndaj 58-vjeçarit u ngritën akuzat për armëmbajtje të paligjshme dhe fshirje të numrit të identifikimit të armës. Kjo është e zakontë që prokurorët të ngrenë akuza paraprake më të lehta dhe më pas të shtojnë akuza më të rënda me vazhdimin e hetimeve.

Autoritetet thanë se kishin gjetur në makinën e të akuzuarit 6 telefona, përshirë një ku tregohej se ai kishte kërkuar në Google se si mund të udhëtohej nga zona Palm Beach për në Meksikë.

Po ashtu, iu gjet edhe një bllok shënimesh që përmbante kritika ndaj qeverive ruse dhe kineze dhe shënime mbi hapat që duheshin ndjekur për t’u bërë pjesë e luftës në mbrojtje të Ukrainës.

Në seancën dëgjimore të së hënës u citua edhe një libër i shkruar nga 58 vjeçari vitin e shkuar në të cilin ai kritikonte ashpër qasjen e zotit Trump mbi politikën e jashtme, përfshirë Ukrainën. Në libër, ai shkruante se Irani “ishte lirë të vriste Trumpin”, meqë ky i fundit ishte tërhequr nga marrëveshja bërthamore. /VOA/

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Papët dhe jubilejtë: hapja e Derës Shenjte në histori

Papët dhe jubilejtë: hapja e Derës Shenjte në histori