TIRANË - Nuredin Suli, biznesmeni që fatmirësisht shpëtoi nga atentati i djeshëm me bombë të telekomanduar, është vëllai i Naim Sulit, biznesmenit të naftës të vrarë në 2012 në pragun e shtëpisë në Fier. Për këtë vrasje, në 3 dhjetor të 2014 gjykata e Fierit ka dhënë dënimin prej 25 vjet burg për Gëzim Sulo, 25 vjet për Ervis Sulo dhe 22 vjet për vëllain e tij, Endri Sulo. Të tre autorët e krimit janë babai dhe dy vllezërit. Megjithëse autorësinë e krimit në gjykata e ka marrë Gëzim Sulo, duke përjashtuar nga ky krim dy djemtë e tij, në fund gjykata ka dhënë për të tre dënime të rënda.

Nuredin Suli, personi që shpëtoi dje nga hakmarja ka treguar se konflikte ka vetëm me ish-komshinjtë e tij në Fier, të cilën i kanë vrarë vllanë në 2012. Por çfarë ka deklaruar Nuredin Suli në dëshminë e tij, para gjykatës së Fierit, dëshmi e cila ka kryqëzuar tre personat e mësipërm, duke ndikuar në dhënien e vendimeve kapitale për tre anëtarët e një familje. Kjo duket se ka ndikuar në hakmarrjen e mëtejshme të familjes Sulo, megjithëse ata i vranë biznesmenit vëllanë.

Sherri për furgoni që i zuri portën
”Shqiptarja.com” sjell të plotë procesverbalin e dëshmisë së Nuredin Sulit, ku tregon si më poshtë: “…Unë dhe vëllezërit e mi Namik Suli dhe Naim Suli kemi banuar në një godinë 4-katëshe, e cila ndodhet në lagjen “Liri”, të qytetit të Fierit. Kati i parë i kësaj godinë është garazh, në katin e dytë banoj unë me familjen time, në katin e tretë ka banuar vëllai Naim Suli me nënën tonë Anife Suli dhe në katin e katërt banon vëllai tjetër Namik Suli me familjen e tij...”.

Ata kanë patur një konflikt me të pandehurin Gëzim Lulaj, i cili ka patur si shkak bllokimin e portës së shtëpisë të tyre nga makinat që vinin në garazhin e këtij të fundit dhe që ishin ngjitur me njëra-tjetrën. Disa kohë përpara se të ndodhte vrasja e shtetasit Naim Suli, ky i fundit është konfliktuar me të pandehurin Gezim Lulaj (Sulaj). Viktima Naim Suli ka ardhur në shtepi dhe ka konstatuar një furgon që ndodhej përpara portës së banesës. Ai ka pyetur për drejtuesin e furgonit dhe duke qënë se nuk është përgjigjur njeri, i ka hipur vetë furgonit dhe e ka lëvizur nga vendi. I pandehuri Gezim Lulaj ka dalë nga servisi dhe ka debatuar me viktimën dhe së bashku me dy të pandehurit e tjerë, e kanë qëlluar me levë në kokë. Viktima u ka marrë levën nga dora dhe janë përleshur me njeri-tjetrin.

Përplasja në spital
Naim Suli dhe i pandehuri Gëzim Lulaj kanë shkuar në spital dhe aty janë përleshur përsëri fizikisht me njëri-tjetrin. Dëshmitari Nuredin Suli ka qenë i pranishëm në këtë moment të dytë dhe është përpjekur për t’i ndarë,ndërkohë që ka marrë edhe vetë goditje. Ai ka marrë vëllain e tij Naim Suli dhe janë larguar nga spitali. Ai vetë është mjekuar në Patos, ndërsa Naim Suli është mjekuar në një vend tjetër.

Negociatat për pajtim
Rreth 2-3 ditë pas konfliktit, vëllai i të pandehurit Gëzim Lulaj, shtetasi Sulejman Sulo ka shkuar në vendin e tij të punës dhe ka takuar vëllain e tij Namik Suli dhe i ka kërkuar që të bisedonin për të mbyllur këtë konflikt, duke i ftuar edhe për një kafe në shtëpi. Ai së bashku me vëllain Namik Suli, pasi kanë biseduar edhe më viktimën Naim Suli,kanë shkuar në shtëpinë e shtetasit Sulejman Sulo, ku ka qënë i pranishëm edhe i pandehuri Gëzim Lulaj. Ata kanë biseduar me njëri-tjetrin dhe kanë vendosur që të mbyllnin konfliktin mes tyre. Pas këtij momenti, ata kanë patur marrëdhënie të ftohta me njeri-tjetrin.
Me dt.10.11.2012, ka ndodhur vrasja e vëllait të tij Naim Suli.

Atë ditë, rreth orës 20:15, ai ka dalë nga një palestër me djalin e tij dhe pasi e ka lënë këtë të fundit në banesë, ka dalë prej saj dhe është takuar me shokun e tij të quajtur A.Muça dhe kanë qëndruar në një kioske përpara dyqanit “Nino Vitali”. Aty kanë ndenjur rreth 10 minuta dhe e ka marrë në telefon bashkëshortja e tij V.Suli dhe i ka thënë se kanë qëlluar Naimin me armë tek shtëpia. Ai është kthyer menjëherë me makinë në banesë dhe aty ka parë vëllanë të shtrirë. Ai ka njoftuar menjehëre policinë, e cila ka ardhur dhe e ka marrë në pyetje.

Pyetjes së tyre se për cilin person dyshonte, ai i ishte përgjigjur se dyshonte për të pandehurin Gezim Lulaj. Dëshmitari e ka parë viktimën për herë të fundit në momentin që ka dalë nga banesa për t’u takuar me shtetasin A.Muça. Dy ditë pas ndalimit të të pandehurve, bashkëshortja e tij V.Suli i kishte thënë se kishte parë të pandehurin Ervis Sulo, i cili kishte qëlluar dy herë me pistoletë tek porta e shtëpisë, ndërkohë që kishte dëgjuar edhe një zë që vinte nga ana e servisit dhe që i thoshte ”...hajde tani, boll...”.

Ajo nuk e ka identifikuar dot personin që ka folur, ndërkohë që ka ikur nga ballkoni dhe ka zbritur poshtë për t’i dhënë ndihmë viktimës. Bashkëshortja e tij V.Suli kishte dëgjuar në fillim të shtënën me automatik dy herë dhe me pas ka dëgjuar edhe dy të shtëna me pistoletë. Bashkëshortja i kishte thënë Nuredinit se nuk ia kishte treguar më parë këtë fakt nga frika se mos ndodhte ndonjë konflikt tjetër, duke qenë se ata i kishin banesat afër njëri-tjetrit. Në të njëjtën ditë, dëshmitari ka mesuar nga kunata e tij Luljeta Suli se në momentin e ngjarjes, ajo kishte parë të pandehurin Endri Sulo, i cili po ikte nga porta e banesës së tyre në drejtim të servisit.


Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)