VLORË- Lënda plasëse me qëllim ekzekutimin e 34-vjeçari Indrit Sadedini, dje në Vlorë, ishte vendosur vetëm 15 minuta para se të shpërthente. Burime për Report Tv bëjnë me dije se nga kamerat e sigurisë së bizneseve atyre pranë, të cilat janë sekuestruar, është vërejtur se tritoli është vendosur nga një person i maskuar me kapuç në kokë, dhe ka hedhur pakon duke e mbuluar me letër që te mos binte në sy.

Më pas ai është larguar i qete në këmbë, ndërkohë që në momentin që Sadedini ka dalë nga garazhi dhe i ka kaluar afër, bomba e lidhur me celular është aktivizuar dhe ka shpërthyer duke i dëmtuar këmbët. Policia është duke bërë veprimet për gjetjen e autorit dhe ka marre në pyetje 6 persona.

Shpërthimi i fortë ndodhi rreth orës 15:00, në lagjen ’10 korriku’, një ditë më parë në Vlorë, ku 34-vjeçari mbeti i plagosur rëndë dhe ka dëmtuar gjymtyrët e poshtme. Ai u soll me urgjencë për mjekim më të specializuar drejt Traumës në Tiranë dhe për momentin gjendja e tij është e mirë.

Indrit Sadedinaj, nuk rezulton me precedent të mëparshëm penal, por megjithatë shkak për shpërthimin dyshohet konfliktet e mëparshme të 33-vjeçarit. Burime nga Policia e Vlorës për gazetarin e Report Tv, Armand Xhelili, bëjnë me dije se pista që po hetohet si motiv për atentatin është ajo e prishjeve të pazareve të drogës.

Kjo nuk është hera e parë që ndaj Indrit Sadedinaj është bërë një atentat, pasi edhe katër vite më parë i është vendosur një sasi e madhe eksplozivi në makinë, e cila nuk ka shpërthyer, pasi e ka pikasur në kohë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:19
Vendi i bërë gropë nga shpërthimi, pamje ku ishte vendosur tritoli në Vlorë për vrasjen e Indrit Sadedinit

Vendi i bërë gropë, njolla gjaku, dhe bordura e shkatërruar! Këto janë pamjet që vijnë pas shpërthimit të fuqishëm që ndodhi dje në Vlorë, ku një sasi tritoli u vendos në hyrje të një garazhi me qëllim vrasjen e Indrit Sadedinit. Siç duket shpërthimi ka qenë shumë i fuqishëm, aq sa ka arritur që bëjë një gropë, por fatmirësisht 34-vjeçari ka arritur që të mbijetojë.