Hakmarrja është pista kryesore që po heton policia për të zbardhur atentatin me eksploziv të dy ditëve më parë në Fier, ku për pasojë humbi të dyja këmbët Armando Sula, 35-vjeç.
 
Sula ishte duke udhëtuar me automjetin e tij tip BMW kur u hodh në erë.
 
Burime pranë policisë bëjnë me dije se hakmarrja lidhet me familjen e dajës së 35-vjeçarit i cili sapo kishte dalë nga burgu.
 
Sula ka qenë i dyshuar për vrasjen Ardian Mollës në vitin 2003, të cilin e akuzonte si autorin e vrasjes se dajës se tij, Astrit Braçes, një ish–oficeri policie që u ekzekutua në vitin 2001.
 
Zinxhiri i vrasjeve ka nisur prej vitit 1997, kur gjatë një operacioni të policisë së Fierit mbeti i vrarë Elton Brahimaj.
 
Në operacion ishte pjesëmarrës oficeri Astrit Braçe, të cilin familja Brahimaj e akuzonte si përgjegjës.
 
Katër vite pas kësaj ngjarje, në vitin 2001, Astrit Braçe dhe djali i tij, u vranë në një pritë.
 
I dyshuar ishte Ardian Molla, i afërm i Elton Brahimajt, i cili vritet në vitin 2003.
 
Armando Sula ishte në rrethin e personave që u hetuan.
 
Policia dyshon se atentati ndaj tij është i lidhur me këto ngjarje.
 
Sulo paraditen e të dielës është transferuar në spitalin e traumës në kryeqytet për ndihmë më të specializuar mjekësore.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com