TIRANE- Shënjestra e atentatit mbrëmjen e së mërkurës në Tiranë, Eduard Dakja, është shprehur dje se nuk e ka identifikuar dot personin që e ka qëlluar. Gjatë një komunikimi në Spitalin Ushtarak me Dakja, ky i fundit tha se nuk dëshironte të aludonte për askënd si autor të atentatit, ndërsa disa orë përpara se Dakja të fliste nga spitali, policia e Tiranës nëpërmjet një deklarate zyrtare për shtyp ka thënë se personi i dyshuar si autor plagosjes së Dakja është shtetasi Genti Roshi.

Të dy personazhet e kësaj historie janë ish agjentë të Shërbimit Informativ, të liruar nga detyrat që mbanin që prej vitit të kaluar. Dje ka patur disa të dhëna kontradiktore në lidhje me shoqërimin në polici të shtetasit Roshi, fillimisht u mësua nga burime koifidenciale se ai është shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, por zyrtarisht Drejtoria ka thënë se nuk ka kryer ndonjë shoqërim të shtetasit Roshi por të të afërmve të tij. Mes të plagosurit Doku dhe të dyshuarit Genti Roshi ka një histori të gjatë përplasjesh si pasojë e një historie të dështuar biznesi me një investitore zvicerane, histori e cila i ndau palët të cilat më pas akuzonin njëra tjetrën në polici për detyrime prej dhjetra mijëra eurosh.

Atentati

Mbrëmjen e së mërkurës rreth orës 23:40 shtetasi Eduard Dakja i është afruar pallatit në të cilin banonte në Tiranë, pranë 21 Dhjetorit në zonën e quajtur "Globi". Pak metra nga hyrja e pallatit ai është këmbyer me një person dhe menjëherë personi në fjalë e ka gjuajtur pas shpine Dakja. Atentatori ka shtënën pesë herë ndërsa tre plumba kanë kapur viktimën Dakja. "Një plumb e ka marrë poshtë shpinës dhe për pak sa nuk ka cekur shtyllën kurrizore. Dy plumbat e tjerë i ka marrë në ije, ndërsa ka patur dhe hematoma në kokë si pasojë e rrëzimit të menjëhershëm", tha dje një mjek i spitalit që asistonte të plagosurin Dakja. Ky i fundit nga ana e tij tha se kishte parë vetëm një person të maskuar me një kapuç në kokë dhe nuk ka mundur dot të bëjë identifikime të mëtejshme apo të dallojë ndonjë fytyrë të njohur.

Konfliktet

Në epiqendër të konflikteve të njohura mes dy ish agjentëve të SHISH-it Dakja dhe Roshi, qëndron historia e tyre e marrëdhënies në biznes me një shtetase zvicerane të quajtur Anjes Fure. Kjo e fundit ka regjistruar në Tiranë një kompani private e cila lidhi kontratë me qendrën tregtare TEG për ndërtimin e një kinemaje. Kompania quhet "IXY Prelude Evolution" dhe është themeluar në vitin 2010. Fillimisht Dakja dhe Roshi kanë bashkëpunuar me shtetasen zvicerane në projektin e ndërtimit të kinemasë. I dyshuari Roshi avancoi marrëdhëniet me zviceranen duke e bërë bashkëjetuesen e tij. Por duket se në fillim të vitit 2011 marrëdhëniet e Dakja me çiftin janë acaruar shumë, Dakja pretendonte se i kishte dhënë rreth 38 mijë euro shtetases zvicerane Anjes Fure për t'i investuar në kompani dhe kjo e fundit e kishte mashtruar. Prokuroria nisi hetimin e çështjes dhe përveç Dakja në dritë dolën dhe disa persona të tjerë që kishin pretendime se shtetasja zvicerane i kishte mashtruar. Por hetimet ngecën pasi të gjithë personat që denonconin mashtrimin, nuk dispononin asnjë kontratë huadhënie me shtetasen zvicerane, e cila tashmë ka ikur sërish në Zvicër.

(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja. com)
(sg/shqiptarja.com)