TIRANE- Pa kaluar as 24 orë nga atentati ndaj kryekomunarit të Farkës, Policia e Tiranës mori në mbrojtje familjen Plaku, duke garantuar siguri maksimale për të gjithë anëtarët. Ndërkaq, Fatbardh Plaku u vizitua dje nga ish-kryeministri Sali Berisha, kurse kryekomunari mban versonin që djemtë ia goditën dy persona të veshur me të zeza dhe me skafandra, të cilët kanë qëlluar vetëm një herë ndaj makinës me shotgun. Në postimin e tij në facebook, Berisha shkruan se “Bandat e qeverisë derdhën breshëri kallashnikovi mbi fëmijët e tij tek ktheheshin nga shkolla. Në të dy rastet Edvin Kristaq Rama zbatoi kodin e mafies dhe kodin e heshtjes vetëm e vetëm se Fatbardh Plaku është qeveritar vendor demokrat dhe Farkën, të lakmuarën e madhe, duhet me çdo kusht ta qeverisë Rama me mafien e tij.

Kjo është një heshtje kriminale që akuzon Ramën për implikim, me veprim apo mos veprim, në këto akte të shëmtuara terroriste me potencial të rrezikshëm destabilizues për vendin.” Nga ana tjetër, burimet policore thanë për gazetën “Shqiptarja.com” se prej paradites së djeshme po zbatohet një plan rigoroz masash për të garantuar mbrojtjen e jetës së anëtarëve të familjes Plaku, për shkak të pozicionit të tij, rrezikshmërisë së ngjarjes dhe përsëritjes së atentateve ndaj kësaj familjeje. Ekspertët e policisë do të mbajnë nën mbikqyrje lëvizjet e Fatbardh Plakut dhe djemve të tij, deri në një moment kur të cilësohet se ndaj tyre nuk kanoset rrezik. Rreth orës 15:30 minuta të së hënës, kreu i Komunës së Farkës, Fatbardh Plaku njoftoi median për sulmin me armë ndaj makinës së familjes së tij. Sipas tij, ngjarja ku është sulmuar makina ku udhëtonin dy djemtë F. Plaku dhe K. Plaku, 19 dhe 11 vjeç, ka ndodhur mesditën e sotme rreth orës 15:00, në zonën e Farkës së Vogël kur ata po ktheheshin në banesë nga shkolla. Makina është qëlluar vetëm në kofano dhe nuk u shënuan dëme të tjera.

sali berisha fatbardh plaku

Atentati me kundratank
Ndërkaq, për ngjarjen e 25 marsit, ku vila e Fatbardh Plakut u qëllua me kundratank, hetimet u zhvilluan për konfliktet për pronën, të krijuara në periudhën që Plaku drejton komunën e Farkës. Që pas ngjarjes policia ka shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, rreth 15 persona, të cilët pasi u morën në pyetje, u lanë të lirë për mungesë provash. Sakaq, po hetohet edhe një konflikt i banorëve të kësaj zone për zgjerimin e rrugës, që të çon në Liqenin e Thatë.Mësohet se grupi hetimor ka konsideruar si pistë hetimi edhe konfliktin e vëllait të Plakut me persona të tjerë, e ndodhur pak ditë para zgjedhjeve lokale në vitin 2011. 

Shkrimi u publikua sot 30 prill 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)