FUSHË- KRUJË- Ka një të arrestuar për atentatin 4 korrikut 2023 në fshatin Larushkë të Krujës, pranë banesës së Gentjan Bejtjas në Krujë, ku u plagosën dy djemtë 10 dhe 13 vjeç dhe u vra kunati Ramazan Sino, 29 vjeç, shofer në prokurorinë e Apelit.

Policia e Tiranës njoftoi mbrëmjen e sotme se është arrestuar Valter Bami të konsideruar si një nga 'të fortët e Niklës". 37 vjeçari ishte shoqëruar mbrëmjen e atentatit dhe i ishin marrë shenjat e gishtave, Nga eskpertiza rezultatet e të cilës kanë dalë sot ka dale se në dorën e majtë të Bamit janë konstatuar mbetje baruti, çka nënkupton se ka shtënë me armë zjarri natën e vrasjes. 

"Rreth orës 04:00 të po kësaj date, është shoqëruar shtetasi Valter Bami, 37 vjeç, të cilit i janë marrë faktorët plotësues dhe deklarim në lidhje me ngjarjen e mësipërme e më pas është lënë i lirë, ju informojmë se: Sot me datë 06.07.2023, bazuar në përgjigjen e aktit të ekspertimit kimik, ka rezultuar se në dorën e majtë të shtetasit V. B., janë konstatuar faktorë plotësues të qitjes me armë zjarri" informoi policia mbrëmjen e sotme (6 korrik) 

Bashkë me të, janë shoqëruar mbrëmjen e sotme edhe dy miq të Valter Bamit si persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen.

Mbi bazën e këtij akti ekspertimi, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka lëshuar sot më datë 06.07.2023, urdhrin e ndalimit për Valter Bamin për veprën penale "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit", parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal.

Ndërkohë ish-polici I konsideruar si personazhi kyç në ngjarje, nuk është gjetur ende për tu marrë në pyetje, tri ditë pas atentatit

Atentati ndodhi pak pas mesnatës së të martës, 4 korrik 2023 kur Ramazan Sino sapo kishte hyrë me makinë në oborrin e kunatit të tij, bashkë me nipat. Në drejtim të tyre u qëllua me breshëri kallashnikovi, duke e lënë dajën e të miturve në vend, ndërsa të dy u plagosën. Autorët dogjën automjetin bashkë me 3 kallashët në afërsi të Tapizës, duke humbur çdo gjurmë. Për shkak të plagosjes së dy fëmijëve, dhe veprimeve hetimore që kanë të bëjnë me ta dosja penale i ka kaluar seksionit për të miturit në prokurorinë e Tiranës. 

I konsideruar si personazhi kyç në ngjarje, marrja në pyetje e Gentian Bejtjes vlerësohet e rëndësishme nga policia pasi pista kryesore që po ndjek grupi i hetimit është hakmarrja.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:15
VIDEOLAJM/ U arrestua sot për armëmbajtje pa leje për atentatin ndaj Gentjan Bejtjas, momenti kur 'i forti i Niklës’ shoqërohet nga policia në komisariat

 

Ky është momenti kur ‘i forti i Niklës’ Valter Bami, i dyshuar kryesor i atentatit të Gentjan Bejtjas është arrestuar nga policia. Në dorën e tij të majtë është konstatuar një sasi baruti çka e ka bërë të dyshuarin kryesor të ngjarjes, ku u vra Ramazan Sino dhe u plagosën dy fëmijët e objektivit Gentjan Bejtja.