TIRANË- Kevin Hajrulla, i cili mbeti i plagosur rëndë pas një atentati ndaj tij, është dërguar në spitalin e Traumës. Burime për gazetarin e Report Tv, Armand Xhelili bëjnë me dije se i riu është transportuar te Trauma në Tiranë rreth orës 02:15 të 19 dhjetorit, për të marrë ndihmë mjekësore më të specializuar.
Burimet thonë se ndaj kushëririt të Inez Hajrullës, të fortit të Vlorës, është qëlluar me të paktën 50 plumba. Nga breshëria e kallashit mbeti i plagosur edhe një kalimtar i rastit, Armand Spahiu 35 vjeç, tregtar shumice i fruta perimeve. Fatmirësisht ai ndodhet jashtë rrezikut, ndërsa 29-vjeçari po lufton për jetën pasi ka marrë plagë të shumta në trup e në bark.
Një atentat i mirëmenduar, ndërsa autorët duket se e kanë vëzhguar 29-vjeçarin. Ata e pritën të parkojë një Benz ngjyrë gri me të cilin ka qenë duke lëvizur dhe më pas derdhën breshëri plumbash në drejtim të tij. Ngjarja ndodhi rreth orës 21:30 (18 dhjetor 2024) në lagjen 24 maj’ në afërsi të postës së Çoles.
Tre dyshohet se kanë qenë autorët e përfshirë në atentat, një shofer dhe dy qitës, që qëlluan nga një makinë tip KIA. Makina e autorëve tip KIA u gjet e djegur në fshatin Panaja në autostradën Vlorë-Fier, ndërsa autorët më pas janë larguar në drejtim të paditur. Pikërisht në këtë zonë, policia ka ushtruar kontrolle në disa banesa, por deri më tani nuk është gjetur asnjë gjurmë e autorëve.
Grupi hetimor përmes këqyrjes së kamerave të sigurisë në zonë, ka arritur të mësojë se autorët kanë lëvizuar me targa italiane të vjedhura. Ndërkohë, targat nuk janë gjetur në makinën e djegur të autorëve, ndërsa brenda në mjet ishin dy armët, njëra në sediljen e pasagjerit në pjesën e parme dhe njëra pas.
Pas atentatit, 29-vjeçari është nxjerrë nga makina nga kalimtarë të rastit dhe është dërguar në spital. E gjithë zona ku ndodhi atentati ka kamera sigurie që mendohet se kanë filmuar skenën, por dhe lëvizjet e autorëve. Nuk dihet ende e kaluara e 29-vjeçarit dhe nëse atentati ka lidhje me të fortin e Vlorës.
Report Tv sjell pamjet nga vendi ku iu bë atentat Kevin Hajrullës në lagjen ‘24 maj’ në Vlorë. Njollat e gjakut të të riut , siç shihet edhe në pamje, janë ende në tokë.
Kevin Hajrulla po lufton për jetën tek Trauma, ndërsa autorët kanë qëlluar me të paktën 50 plumba në drejtim të tij.
Makina e djegur e autorëve në fshatin Panaja
Report Tv mëson detaje të reja nga atentati ndaj Kevin Hajrullës në Vlorë. Burime për gazetarin Armand Xhelili bëjnë me dije se 3 autorët e dyshuar kanë lëvizur në Vlorë me një mjet tip ‘KIA’ me targa italiane. Po të njëjtat burime thonë se targat rezultojnë të vjedhura.
Ndërkohë, në mjetin e djegur të autorëve në fshatin Panaja janë gjetur dy kallashnikovët e përdorur për atentatin.
Njëra armë është sediljen e pasagjerit në pjesën e parme të makinës, ndërsa tjetra pas. Kjo konfirmon edhe praninë e 3 autorëve, njëri shofer dhe dy qitës.
Po mjaft me me kete kronike te zeze se na u hap barku. Vetem lajme krimi te organizuar. Dalin e teprojne serialet e platformave. Ngelet duke i bere pemen gjinealogjike cdo krimineli te mundshem. Kusheriri i ketij e kunati i atij, na plasi trapi. Eliminojne njeri-tjetrin. Hap njeriu portalin per te lexuar nje lajm interesant (s'po them pozitiv, sepse eshte sakrilegj) dhe sheh vetem lajme vrasjesh ose aksidentesh automobilistike. Tamam mbidoze!!!
Përgjigju