Dhjetë persona janë marrë në pyetje në lidhje me vrasjen e Nikolin Lekstakajt, në Balldre të Lezhës tri ditë më parë. Pjesa me e madhe e tyre janë nga familja Nikulaj, me të cilën Lekstakajt është në hasmëri prej 1996-ës, por ata kanë mohuar të kenë lidhje me krimin. Makina e djegur nga autorët në Gjadër u gjurmua përmes kamerave të sigurisë, por autorët nuk dallohen për shkak të xhamave të zinj.

Ka arritur në 10 numri i personave që janë marrë në pyetje nga policia në lidhje me atentatin ndaj 42-vjeçarit Nikolin Lekstakaj, i cili u vra të mërkurën e 19 prillit teksa po dilte nga një market në Balldren. Pjesa më e madhe e këtyre personave raportohet se janë të afërm të Ardian Nikulajt, biznesmenit të vrarë më 19 prill brenda lokalit të tij në Shëngjin.

Report Tv mëson se ata kanë pretenduar se nuk kanë asnjë lidhje me ngjarjen, ndërsa janë lënë sërish të lirë. Në vijim, policia pritet të marrë në pyetje vëllain e Nikolinit, Bledi Leksatakaj, i cili është pronar i  makinës me të cilën 42-vjeçari shkoi për herë të fundit në market të mërkurën. Pista kryesore e hetimit është hakmarrja. Report Tv mëson nga burime të policisë, se familjarët e Lekstakajve janë të bindur se vrasja është për gjakmarrje pasi para hetuesve janë shprehur se nuk kanë konflikte të tjera.

Ndërkohë, makina që u gjet e djegur të enjten në Gjadër është lokalizuar përmes kqyrjes së pamjeve të kamerave të sigurisë. Pasi braktisën mjetin e vjedhur në Dimal, të cilit i vunë flakën, ende nuk dihet nëse autorët janë larguar në këmbë apo i ka pritur ndonjë bashkëpunëtor tjetër për t’i larguar me makinë. Policia thotë se automjeti është me xhama të zinj dhe në pamjet e administruara deri tani, është e pamundur të dallohen se sa persona kanë qenë brenda. Kallashnikovi i djegur brenda mjetit bashkë me gëzhojat, po ekspertohet, me shpresën se mund të gjendet përgjigje për përdorim në ndonjë ngjarje tjetër kriminale.

Autorët qëlluan me 5 plumba në drejtim të Nikolin Lekstakajt, ndërsa 4 prej të cilëve i prekën trupin. Ai kishte rreth 2 vite i rikthyer në Shqipëri nga Anglia. Më parë ai i ka shpëtuar edhe një atentati tjetër në 2012-ën ku i ishte vënë eksploziv në makinë. Familjet Lekstakaj dhe Nikulaj kanë një konflikt gjakmarrjes që prej vitit 1996-ës.

I fundit i vrarë mes tyre ishte Ardian Nikulaj, ndërsa dyshohet se organizator ishte Edmond Haxhia, djalë i dajës së Elton Lekstakajt. Hasmëria nisi në vitin 1996 kur pjesëtarët e familjes Lekstakaj vranë vëllain e Ardian Nikulajt. Pak muaj më vonë u ekzekutuan Gëzim Lekstakaj dhe Laurent Gjetja, nip i familjes. Krimi i radhës ndodhi në vitin 1999 kur u ekzekutua Gjovalin Lekstakaj dhe u plagos rëndë Pjetër Lekstakaj, të gjitha ngjarje të pazbardhura.