Atentati ne burg, Gazmend Dibra:
Muja s'na njoftoi për probleme

Atentati ne burg, Gazmend Dibra: <br />Muja s'na njoftoi për probleme
Në një prononcim për Shqiptarja.com Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Burgjeve Gazmend Dibra është shprehur se i plagosuri Kleves Muja nuk ka sinjalizuar autoritetet për asnjë problem në lidhje me të dënuarit e tjerë që ndodheshin në burgun e Lezhës. Dibra ka përshkruar dje dhe rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja.
Zoti Dibra çfarë ka ndodhur në Burgun e Lezhës, në ç'rrethana është plagosur kryetari i komunës Rrethine?
Sot (dje) i paraburgosuri Kleves Muja ka realizuar një takim me familjarët e tij konform rregullave ligjore për të paraburgosurit. Pasi ka zhvilluar takimin në mjediset përkatëse ai duke qenë i shoqëruar nga një gardian është kthyer për të hyrë në dhomën e tij të paraburgimit. Gjatë rrugës për rikthimin në dhomë në një nga korridoret e institucionit të burgut Lezhë ai është këmbyer me një tjetër të burgosur që quhet Xheladin Kruja dhe që vuan dënimin me 15 vite burg për vrasje, e që në ato momente po lëvizte i shoqëruar për arsye të tij. Të dy janë Shkodranë. Gjatë këmbimit në korridor në një moment i burgosuri Xheladin Kruja ka goditur me një send të mprehtë në pjesën e poshtme të kokës të paraburgosurin Kleves Muja, pra e ka goditur pas koke fill pas janë këmbyer.
Ka patur debate mes tyre dhe më pas ka ardhur goditja apo ka ndodhur në befasi?
Nga informacioni që unë kam deri më tani di që nuk ka patur konfrontim dhe debate por i burgosuri Xheladin Kruja ka goditur në befasi të plotë shtetasin Kleves Muja. Pasi është goditur një herë të vetme shtetasi Muja është rrëzuar përtokë dhe gardianët kanë bërë menjëherë neutralizimin e agresorit Kruja ndërsa kanë transportuar për t'i dhënë ndihmën mjekësore të plagosurit që kishte humbur ndjenjat dhe kishte rënë përtokë.
Ju keni patur informacione mbi ndonjë konflikt të Kleves Mujës me dikë tjetër aty në burgun e Lezhës?
Burgjet kanë një praktikë. Çdo të paraburgosuri por edhe çdo të burgosuri që transferohet, i jepet një listë me të dënuarit e tjerë. Nëse në listë ai vëren ndonjë armik apo rival e hasëm të tij njofton autoritetet dhe kaq mjafton që stafi të marrë masa speciale. Autoritetet e burgut të Lezhës më kanë konfirmuar se Kleves Mujës i është dhënë lista e të paraburgosurve dhe të burgosurve që ditën e pare, ai e ka parë me shumë vëmendje atë listë dhe ka thënë se asnjë prej individëve që ndodheshin në listë nuk përbënte problem për të.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

'Asma po vdes', 'The Telegraph': Gruas së Bashar al-Assad i është rikthyer leuçemia, mjekët në Moskë i kanë thënë pak shanse për shërim

'Asma po vdes', 'The Telegraph': Gruas së Bashar al-Assad i është rikthyer leuçemia, mjekët në Moskë i kanë thënë pak shanse për shërim