GJIROKASTER - Policia e Gjirokastrës po heton në dy pista në lidhje me atentatin me tritol ndaj administratorit të pub Ekuador në Gjirokastër e Sarandë. Rudin Haxhia 41 vjeç i shpëtoi mrekullisht atentatit me eksploziv mbrëmjen e së enjtes 4 prill, kur një sasi tritoli e vendosur në makinën e tij ka shpërthyer në ecje e sipër. Ngjarja ndodhi në bulevardin “18 shtatori”, pranë rrugës nacionale, ndërsa në makinë, Rudin Haxhia ishte së bashku dhe me me dy shtetas të tjerë. Fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar ndërsa makina është dëmtuar në pjesën e pasme të saj.

Policia e Gjirokastrës konfirmon se hetimet janë përqëndruar në dy pista, atë për shkak të konkurencës dhe e dyta për shkak të detyrës që Haxhia ka kryer më parë.
 
Deri në 2006- 2007 ai ka qenë agjent i policisë kriminale në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës. Këtë detyrë 41 vjeçare e ka kryer për 15 vite. Vitet e fundit ai punonte si administrator i pub Ecuador në Sarandë dhe në Gjirokastër.

Një grup ekspertësh të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit kanë mbërritur në ndihmë të grupit të ekspertëve të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër.

Hetimet po zhvillohen nga Sektori Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër në bashkëpunim me Efektivat e Komisariatit të Policisë Gjirokastër dhe Tepelenë të drejtuara nga Drejtori i Policisë së Qarkut Gjirokastër Drejtues i Parë Ajet Ibro dhe Zvdrejtori Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda Drejtues Ndue Doçi.

Rudin Haxhiaj ka qenë duke parë një ndeshje në një lokal dhe më pas i ka hipur makinës së tij xhip, Rexton” së bashku me dy shokë. Në lëvizje e sipër, në bulevardin 18 shtatori ka dëgjuar shpërthimin në pjesën e poshtme të makinës.

Policia thotë se eksplozivi ishte vendosur në një vend bosh poshtë prapakolpit dhe nga lëvizja mund të ketë rënë, pasi nëse eksplozivi do të ishte vendosur me magnet, nga sasia e tritolit të vendosur mjeti do kishte shpërthyer duke i marrë jetën Rudin Haxhisë.

Sipas policisë sasia e tritolit të vendosur në makinë ishte rreth 200- 300 gram dhe shpërthimi është telekomanduar me celular. Policia ka siguruar provat ndërkohë që sot policia e Gjirokastrës arrestoi personin që dyshohet se ka përgatitur tritolin me telekomandë.

Ai është Sazan Mane dhe është arrestuar si i dyshuar si bashkautor në këtë atentat. Gjatë kontrollit në ambientet e lokalit të tij janë sekuestruar 17 granata dore mësymëse, 180 fishekë model 56, tre kapsolla elektrike, dy topa me fitli zjarrpërcjellës, si dhe një kilogramë lëndë narkotike Mariuanë.
Ish inspektori i krimeve i ka shpëtuar dhe dy atentateve në 2008 dhe 2011 në Sarandë. Herën e fundit u plagos në këmbë.

(s.g/ad.ti/shqiptarja.com)