SHKODER - Atentati ndaj babë e bir në qytetin e Shkodrës dy ditë më parë, në të cilin gjeti vdekjen e menjëhershme 46 vjeçari Frederik Marku, dhe u plagos rëndë djali i tij, ka vijuar ditën e sotme me dy ngjarje po kaq tragjike.

Në orët e para të ditës iu vu flaka shtëpisë dhe makinës së Markajve në Theth, ku nga forcat e policisë u konstatua se u shkrumbua totalisht shtëpia e të vrarit në atentat Frederik Marku. Ndërkaq, për fatin e mirë të familjarëve asnjë prej tyre nuk ka qenë në shtëpinë e pushimit në Theth, pasi dje pasdite në orën 18:00 është përcjellë në banesën e fundit i afërmi i tyre.

Ndërkaq, Jurgen Marku, djali 22 vjeçar i viktimës Frederik Markut, pas plagëve të marra nga atentati ndodhej në spitalin e Shkodrës, por vetëm paraditen e sotme rreth orës 11:30 ka ndërruar jetë teksa nuk i rezistoi dot një operacioni, që siç raportojnë bluzat e bardha, ishte mjaft i vështirë. I riu ka pasur shumë hemorragji dhe dëmtim të organeve kryesore të trupit, ndërsa prej 4 orësh ndodhej në reanimacion.

POLICIA DYSHON PER 5 AUTORE, DJE U ARRESTUA 1 PREJ TYRE
Rreth orës 14:15 të ditës së djeshme, policia e Shkodrës arrestoi një prej autorëve të dyshuar të vrasjes së Frederik Markut. Bëhet fjalë për shtetasin Leonard Nika, 25 vjeç nga Dukagjini, i cili u kap në lagjen “Tre Herojtë” të qytetit të Shkodrës. Ndërkaq, dyshohet se edhe autorët e tjerë janë pjestarë të fisit Nikaj, identiteti i të cilëve thuhet se është i ditur nga policia, por nuk publikohen për arsye hetimi. Policia ka nisur një operacion kërkimi në të gjithë qytetin për kapjen e autorëve.

KONFLIKTI GJATE PUSHIMEVE NE THETH
Historia e këtij krimi nisi tre ditë më parë (29 gusht) ku të dyja palët (autorët dhe familja Marku) pushonin në Theth. Autorët, të cilët sipas policisë së Shkodrës dyshohet se janë 5 persona, ngacmuan vajzën e viktimës Frederik Marku, situatë kjo e cila vijoi me konflikt mes palëve, i cili nuk u mbyll në Theth. Mesditën 30 gushtit autorët kanë denoncuar në policinë e Shkodrës viktimën Frederik Marku dhe djalin e tij Jurgenin, me arsyen se i kanë kërcënuar me jetë. Menjëherë pas denoncimit është bërë shoqërimi i viktimës dhe djalit të tij në polici, të cilët në deklaratat e tyre kanë thënë se kërcënimi me jetë ka ardhur nga pala e autorëve dhe jo prej tyre.

Por dëshmia e viktimave dhënë në polici, nuk është pritur mirë nga autorët ndaj dhe i kanë bërë prit në afërsi të ambienteve të spitalit të Shkodrës. Nga detajet e ngjarjes, krimi është bërë i mirëorganizuar. 3 persona janë vendosur pranë spitalit, ndërsa 2 të tjerë me motor qëndronin në gatishmëri për të pritur makinën e Frederik Markut, në të cilën ndodhej edhe djali i tij.

Nga të shtënat me pistoletë nga autorët në motor kundrejt makinës në ecje, humbi jetën Frederik Marku, 46 vjeç, ndërsa mbeti i plagosur rëndë djali i tij 22 vjeçar, Jurgeni, i cili ndërroi jetë disa orë më parë në spitalin e Shkodrës ku u transportua menjëherë pas krimit.

(Gre.M/Shqiptarja.com)