Burime të Report Tv nga mbledhja brenda komisariatit të Lushnjes thanë se në takim ishin të pranishme strukturat përgjegjëse të luftës kundër krimit. Xhafaj ka folur me një gjuhë të ashpër për përgjegjësinë e këtyre strukturave në ngjarjen e fundit kriminale në këtë qytet. Ministri ka kërkuar me këmbëngulje kapjen e autorëve të këtij krimi të rëndë dhe njëhershëm zbardhjen dhe vënien para përgjegjësisë të grupeve kriminale në këtë qytet dhe sidomos të drejtuesve të tyre.
Mësohet se ministri i ka dhënë mbështetje të drejtpërdrejtë shërbimeve policore të angazhuara prej disa ditësh në këtë qytet nga Drejtoria e Luftës kundër krimeve të rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Ai ka paralajmëruar masa të ashpra për punonjësit e policisë që kanë toleruar apo bashkëpunuar me grupe kriminale në këtë zonë, duke theksuar se raste të tilla nuk duhet të përsëriten më. Burime policore të pranishme në takim thanë për Report Tv se gjuha e ministrit nuk linte vend për interpretim dhe kërkesa e tij ishte e thjeshtë dhe e prerë: Vënia para përgjegjësisë me çdo kusht e grupeve kriminale.
Redaksia Online
D.Ç./Shqiptarja.com

VIDEO










