ATHINE - Mijëra persona kanë marrë pjesë të shtunën në mesditë në manifestimin antiracist të organizuar në Athinë, duke marrë shkak nga vrasja e emigrantit pakistanez nga dy persona në një lagje të Athinës. Madje në banesën e njërit prej vrasësve, i cili ishte zjarrfikës, u gjetën edhe fletushka elektorale të partisë neonaziste, Agimi i Artë.

Qendra e Athinës është krejtësisht e bllokuar nga forcat e policisë për të garantuar zhvillimin normal të manifestimit, ndërkohë që në këtë manifestim marrin pjesë përveç komuniteteve të emigrantëve që jetojnë e punojnë në Greqi, edhe shoqata e organizata antifashiste e antiraciste greke, përfaqësues të forcave të majta politike, shoqata kulturore e artistike, përfaqësues të sindikatave të sektorëve të ndryshëm publikë e private, intelektualë e njerëz të njohur në fushat e artit, kulturës, letrave e fushave të ndryshme.

Përpara fillimit të manifestimit, pjesëtarë të komunitetit pakistanez kanë mbartur arkivolin e viktimës në sheshin përpara bashkisë së Athinës, ku edhe kanë kryer ritualin fetar të faljes për shpirtin e tij.

Gjatë manifestimit përpara Parlamentit në sheshin Syntagma, janë hedhur parulla “Jashtë neonazistët!”, “Nënshtetësi për fëmijët e emigrantëve”, “JO kampeve të përqendrimit të emigrantëve”.

Në orën 16 të pasdites është zhvilluar edhe një koncert solidariteti me pjesëmarrjen e grupeve të ndryshme muzikore greke, grupeve të komuniteteve të emigrantëve, etj.

(eç/shqiptarja.com)