Ne nuk i duam të huajt këtu bërtasin qytetarë të Amigdalezës në veriperëndim të Athinës. Ata janë mbledhur tek postblloku i policisë për të protestuar kundër kampit të internimit për emigrantët e paligjshëm, që është ngritur jo larg shtëpive të tyre. Ata kanë frikë se bashkë me refugjatët në Amygdalezë do të vijë edhe krimi.
Ministri i Brendshëm grek Mihali Krisochoidis, u garantoi banorëve se refugjatët nuk do të lejohen të largohen nga kampi - ata jetojnë atje në kontejnerë, zona eshte e rrethuar me tela me gjemba disa metra të lartë. Në të njëjtën kohë, ministri iu kundërvu akuzave se Greqia i trajton refugjatët në mënyrë çnjerëzore: "Ne kujdesemi për të gjithë qytetarët në këtë vend, pa marrë parasysh se çfarë race, feje apo kombësie i përkasin. Ata janë viktima të trafikantëve të njerëzve, të drogës dhe të prostitucionit, dhe në këtë mënyrë përhapin edhe sëmundje”, tha ai.
Në kazerma të dikurshme qeveria greke dëshiron të ngrejë në shkallë vendi 30-50 kampe të tilla, secili për rreth 1,000 refugjatë. Në këto kampe ata duhet të presin deri sa t'i kthejnë në vendet e tyre të origjinës. "Jo kampeve të përqendrimit, jo racizmit" therrasin demonstruesit e skenës së majtë në Athinë. Ata e akuzojnë qeverinë se pak para zgjedhjeve tregohet e ashpër kundër të huajve duke i bërë ata kështu kokë turku për problemet e Greqisë.
(aq/DW/shqiptarja.com)
