Reagon sërish zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Greke, pas deklaratës së një ditë më parë nga zëdhënësi i ministrisë tonë të jashtme Glevin Dervishi lidhur me qëndrimin e Athinës për prishjen e kishës së "Shën Thanasit" në Dhërmi.
 
“Deklarata e djeshme nga zëdhënësi i ministrisë së jashtme shqiptare lidhur me angazhimin e Shqipërisë për të respektuar dhe mbrojtur plotësisht të drejtat fetare dhe të pronës së minoriteteve në shqipëri është inkurajuese” - thuhet në deklaratë.
 
Por nga ana tjetër Ministria e Jashtme Greke thekson se siç ka ndodhur deri tani, Greqia do të vijojë të jetë përkrah fqinjit të saj në rrugën drejt Europës, me kushtin që Shqipëria të përmbushë të gjitha detyrimet e saj që parashikon ligji ndërkombëtar dhe kriteret e BE-së.
 
Ndaj dhe Ministria e Jashtme po pret përgjigje dhe marrjen e masave të menjëhershme nga qeveria shqiptare lidhur me atë që ka ndodhur në Kishën e Shën Thanasit në Dhërmi” - thuhet në deklaratën e ministrisë së jashtme greke.

Redaksia Online
(o.b/ Shqiptarja.com)