Greqia është përshirë nga zjarret gjatë dy ditëve të fundit për shkak të temperaturave ekstreme të shënuara në rajon. Prej më shumë se 48 orësh zjarrfikësit po punojnë për shuarjen e flakëve masive, ndërsa mijëra banorë janë evakuuar.
Greqia është përshirë nga zjarret për shkak të temperaturave të larta të cilat kanë pushtuar gjithë rajonin, ku deri më tani janë raportuar disa banesa të djegura dhe dhjetëra persona të dërguar në spital të cilët kanë probleme me frymëmarrjen.
Një zjarr i madh është aktivizuar në zonën e Kouvara Attica, ku më shumë se një mijë fëmijë janë evakuuar nga një kamp veror.
Mediat lokale raportuan disa dëme në shtëpi si dhe automjete, me 65 makina zjarrfikëse dhe 283 zjarrfikës që ende operojnë në zonë.
Ndërkohë, policia arrestoi një burrë që dyshohet se ndezi një tjetër flakë në Kouvaras, në jug-lindje të kryeqytetit.
Qindra njerëzve u është dashur të largohen nga shtëpitë e tyre në zonën e gjerë, të ndihmuar nga ekipet e shërbimit të urgjencës. Gjithashtu u desh të evakuoheshin disa kafshë, duke përfshirë një numër kuajsh që ishin në stalla që morën flakë.
Zjarret u ndezën nga erërat e forta, me qindra zjarrfikës që luftuan për të frenuar përhapjen e flakëve.
Zjarret kanë prekur transportin në disa zona, me policinë e detyruar të mbyllë pjesë të autostradës kombëtare Athinë-Korinth. Disa shërbime të trenave gjithashtu janë ndërprerë.
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, i cili aktualisht ndodhet në Bruksel për një samit, tha se autoritetet po bëjnë gjithçka që është e mundur për të ndihmuar banorët.
Ndërsa të paktën një nga zjarret dyshohet se është ndezur qëllimisht, shkencëtarët thonë se moti ekstrem po bëhet më i shpeshtë dhe më intensiv në shumë vende për shkak të ngrohjes së planetit.
Erërat e forta dhe temperaturat relativisht të larta kanë vështirësuar punën e zjarrëfikësve ne zonën e Dervenochorias në Greqi. Vatrat aktive të zjarrit kanë dalë jashtë kontrollit, duke shkaktuar më shumë dëme në vend.
Zjarrfikësit kanë vijuar “luftën” me flakët në Greqi, ku sipas mediave vendase mësohet se përgjatë gjithë natës ata kanë punuar për të frenuar vatrat e mëdha në zonat pyjore.
Për momentin, situata në Mandra është shumë e vështirë, pasi drejtimi i erërave ndryshon dhe ajri drejtohet nga njëra anë tjetrën, duke krijuar kështu fronte të reja zjarri.
Në videot dhe fotot e publikuara nga situata me zjarrin, shihet një re e trashë tymi që mbulon një sipërfaqe shumë të madhe dhe flakët që vazhdojnë të shkrumbojnë pyjet.