ATHINË, 7 shkurt /ATSH-ANA-MPA/ - Rëndësisë së bashkëpunimit të Greqisë me partnerët evropianë dhe me FMN-në, i është referuar ambasadori i SHBA-së në Athinë, David Pearce, në takimet me kryeministrin grek, Aleksis Cipras dhe ministra të qeverisë së re.
"Shtetet e Bashkuara të Amerikës besojnë se është shumë e rëndësishme që qeveria greke të bashkëpunojë me partnerët evropianë si edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar", theksoi ambasadori Pearce.
Gjatë takimeve të tij, Pearce diskutoi çështje të rëndësishme dypalëshe dhe rajonale me zyrtarët grekë. Ai nënvizoi sakrificat e mëdha që janë bërë nga populli grek, duke theksuar njëkohësisht pozicionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës se Greqia duhet të vazhdojë reformat strukturore dhe administrative dhe të ushtrojë një politikë korrekte fiskale. Sipas mendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greqia duhet të realizojë reforma që ta bëjnë më atraktive për investime të huaja, me qëllim që vendi që mundet të respektojë detyrimet e saj ndërkombëtare dhe t'i rikthehet prosperitetit", theksohet në njoftimin e ambasadës amerikane në Athinë./ a.jor.









