ATHINË - Një fitore e Syrizas në zgjedhjet legjislative në muajin janar në Greqi do të shënonte fillimin e një ndryshimi të nevojshëm në Evropë që do ta drejtonte veçanërisht Spanjën dhe Irlandën në të njëjtën rrugë, theksoi dje Alexis Tsipras, kreu u partisë së majtë greke, që ndodhet në krye të sondazheve.

Në një fjalim ku u përmendën pikat kryesore të programit të Syrizas, Alexis Tsipras theksoi se "ndryshimi i nevojshëm në Evropë fillon këtu në Greqi dhe do të fitojë progresivisht gjithmonë e më shumë".

Ai citoi veçanërisht rastin e Spanjës ku partia e re anti-liberale "Podemos" ka mundësi në zgjedhjet legjislative në vitin 2015 dhe atë të Irlandës ku zgjedhjet janë parashikuar në vitin 2016.

Tsipras kërkon të bëjë Greqinë një shembull pozitiv të progresivizmit në Evropë duke i cilësuar zgjedhjet e 25 janarit si fundi i një bote të vjetër politike, i konservatorëve të partisë Demokracia e Re dhe socilistëve të PASOK aktualisht në pushtet.

"Në sajë të negociatave energjike, ne garantojmë një pjesëmarrje realisht të drejtë të vendit tonë në zonën euro, pa masat shtrënguese", deklaroi drejtuesi i Syrizas.
"Duhet t'i japim fund masave shtrënguese", theksoi ai.

Sipas të përjavshmes  "Spiegel", kancelarja gjermane, Angela Merkel ishte e gatshme të lejonte Greqinë të dilte nga zona euro, në rast se e majta radikale do të vinte në rrezik politikën shtrënguese buxhetore në këtë vend./ATSH/