'Wanda Metropolitano' i ktheu shpinën Julian Alvarezit. Sulmuesi argjentinas u fishkëllye nga tifozët e Atletico Madrid gjatë gjithë ndeshjes ndaj Villarrealit, ndërsa situata mes lojtarit dhe klubit madrilen duket se ka arritur në 'pikën e vlimit'.

E diela ishte një pasdite për t’u harruar për Julian Alvarez. Sulmuesi argjentinas e ndoqi nga stoli ndeshjen e parë të Atletico Madrid në shtëpi këtë sezon, teksa “Colchoneros” u ndalën në një barazim 2-2 ndaj Villarrealit.

Por më shumë sesa rezultati, në qendër të vëmendjes ishin reagimet e tifozëve. Alvarez u prit dhe u përcoll me fishkëllima, në një sinjal të qartë të pakënaqësisë së tifozerisë ndaj tij. Shkak janë zhvillimet e javëve të fundit, gjatë të cilave argjentinasi raportohet se ka shtyrë për t’u larguar nga Atletico Madrid, duke vendosur Barcelonën në krye të listës së destinacioneve të preferuara.

Nga ana tjetër, klubi madrilen ka mbajtur një qëndrim të prerë, duke refuzuar të hapë negociatat me klubin katalanas. Kjo ka krijuar një “luftë të ftohtë” mes palëve, ndërsa fishkëllimat në “Wanda Metropolitano” duket se e kanë përshkallëzuar situatën.

Sipas The Athletic, drejtuesit e Atletico Madrid po e shqyrtojnë tashmë seriozisht mundësinë e shitjes së Alvarez, por vetëm nëse mbërrin një ofertë rreth 150 milionë euro. Në klubin madrilen duket se po lind edhe pyetja nëse ia vlen të mbahet një lojtar i pakënaqur, i cili tashmë ka humbur mbështetjen e një pjese të konsiderueshme të tifozerisë.

Barcelona, ndërkohë, vazhdon të interesohet për një qendërsulmues. Trajneri Hansi Flick, i pyetur për këtë mundësi, deklaroi se do ta diskutonte situatën me drejtorin sportiv Deco për të parë nëse ekziston mundësia për të përforcuar skuadrën.

Megjithatë, rruga drejt Barcelonës duket e komplikuar. Atletico Madrid nuk dëshiron ta shesë Alvarez te Barcelona dhe as te rivali i përjetshëm, Real Madrid.

Në këtë situatë, Arsenali mbetet në prapaskenë dhe mund të tentojë të përfitojë nga situata. Me ditët e fundit të merkatos që afrohen, klubi londinez mund të shfaqet si alternativa konkrete për argjentinasin.