SUEDI - Armand Duplantis ka regjistruar rekordin e 15-të botëror të tij radhazi në kërcimin së larti me shkop. Ai ka fituar me kërcimin 6.31 metra edicionin e Mondo Classic, të ‘World Indoor Tour’, i zhvilluar në Uppsala të Suedisë. Një event i organizuar nga vetë atleti në shtëpinë e tij.
Ishte një garë ku morën pjesë atletët më të mirë të kësaj disipline. Mjafton të përmendim faktin se 8 nga 9 pjesëmarrësit kanë pasur rezultate mbi 6 metra, ndërsa i 9-ti 5.96 metra.
Për 26-vjeçarin suedez, një jashtëtokësor në panoramën botërore të atletikës, kompeticioni u zhvillua në mënyrën më të mirë të mundshme. Duplantis bëri vetëm 4 kërcime: 5.65, 5.90, 6.08 dhe ai final i rekordit të ri, 6.31 metra.
Ai që konsiderohej kundërshtari më i fortë për suedezin, greku Emmanouil Karalis, me kërcimin më të mirë sezonal 6.17 metra, në këtë event ka zhgënjyer, duke u ndalur te 5.80 metra, vendi i 7-të. Vendin e dytë e zuri norvegjezi Sondre Guttormsen, me 6.00 m, ndërsa në vend të tretë doli amerikani Zachery Bradford, me 5.90 m.
Komente








