Mbrëmjen e 29 Marsit qyteti i Elbasanit u kthye në kryeqytetin e futbollit shqiptar, teksa fishkëllima e fundit e arbitrit spanjoll që gjykoi ndeshjen mes Shqipërisë dhe Armenisë, u pasua me ovacione të shumta si brenda dhe jashtë stadiumit.

Sheshi qendror i qytetit si kurrë më parë ishte pushtuar nga tifozë kuq e zinj të ardhur nga mbarë trojet tona, të cilët festuan fitoren e kombëtares përballë armenëve.

Këto pamje të fokusuara nga kamera e televizionit A1 Report nuk kanë nevojë për shumë koment, por tregojnë qartë se ekipi kombëtar na bëri të ndihemi krenar. 
Plisi simbol ndër shekuj i shqiptarit ishte më prezent se kurrë, ndërsa atmosfera festive do mbahet mend gjatë nga elbasanasit.

Ndërkohë edhe në Tiranë atmosfera nuk ka nevojë për shumë koment.

Në përfundim të ndeshjes bulevardi u tejmbush me tifozë, dhe makina të cilët më krenar se kurrë festonin për ekipin Kuq e Zi.

Ndërkohe edhe në Fier në përfundim të ndeshjes tifozët zbarkuan në rrugë për të shprehur gëzimin për ekipin tonë kombëtar.

Vlora e Flamurit nuk kishte si të mos përfshihej nga emocionet e fitores së kombëtares tonë përballë armenëve.

Mirditorët, lezhjanët dhe kurbinasit fitoren e ekipit kombëtar vendosën ta kremtonin pranë varrit të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti në Lezhë.

Fitorja e kombëtares u kremtua në të gjitha rrethet e vendit.

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)