TIRANE-Agjencia e Trajtimit të Pronave ka kërkuar rrëzimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese që u kthen plotësisht pronarëve tokat që aktualisht janë të lira.

Sipas kreut të kësaj Agjencie, Sonila Qato, këto toka nuk duhet të kthehen të plota, por t’i nënshtrohen formulës së re të trajtimit të pronës.

Sipas formulës së re, llogaritja e çmimit të pronës bëhet jo në bazë të vlerës aktuale të tokës, por në bazë të zërit kadastral që ka pasur në vitin 1995.
 
“Sigurisht shfuqizimi i pikës 5 të nenit 6 ka efektet e veta sipas mendimit të ATP, një mendim që i është dërguar Ministrisë së Drejtësisë dhe aty do shqyrtohet më gjerë dhe do konsultohet me të gjitha grupet e interesit dhe institucionet përkatëse ku kemi dhënë mendimin se në shtyllën e trajtimit të kërkesave pa vendimmarrje, vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka prekur le të themi metodologjinë e përcaktuar në pikën 5 të nenit 6 të ligjit” tha Sonila Qato
 
Kreu i Agjencisë së Trajtimit të Pronave Sonila Qato ka paraqitur sot në Komisionin Parlamentar të Ligjeve raportin e punës së institucionit për vitin 2016. Ajo tha se në total janë dhënë 3925 vendime për njohje dhe kthime apo kompensime pronash.
 
“Janë publikuar rreth 3925 vendime ku secili prej vendimeve ka dhënë informacion të detajuar, 1869 vendime janë vlerësuar financiarisht nga ana e agjencisë dhe kanë një vlerë prej 11 miliardë e 883 milionë lekë”, tha Qato.  
 
Në nëntor të vitit 2016 Gjykata Kushtetuese rrëzoi pjesërisht ligjin e ri të pronave. Sipas vendimit të saj, pronat e lira do t’u ktheheshin të plota pronarëve.
 
Redaksia Online
B.B/Shqiptarja.com