Për të kuptuar vështirësinë e kërkimit dhe rikuperimit të trupave të katër italianëve të zhdukur në Maldive, duhet ‘të hysh’ brenda shpellës Devana Kandu.
Kjo video e realizuar më 14 shkurt 2014 nga Sergey Lapkin dhe Vladimir Tochilov së bashku me një grup zhytësish, tregon kalime në shkëmbinj koralorë, tavane shkëmbore dhe koralesh, korridore ku nuk mund të ngjitesh vertikalisht, sedimente që mund të zhdukin plotësisht dukshmërinë dhe rryma kanalesh që mund të ndryshojnë brenda pak minutash.
Këtu çdo metër duhet të planifikohet: gazi, koha, linja udhëzuese, rruga e daljes, pajisjet rezervë. Pikërisht në një skenar të tillë punojnë specialistët finlandezë Sami Paakkarinen, Jenni Westerlund dhe Patrik Grönqvist, të thirrur nga DAN Europe për të tentuar rikuperimin dhe për t’u kthyer familjeve trupat e viktimave të tragjedisë në Maldive.
Ata janë një task-forcë ndërkombëtare zhytësish teknikë dhe speleozhytësish, ekspertë të mjediseve të mbyllura dhe misioneve me rrezik të lartë. Ata i përkasin atij rrethi të ngushtë profesionistësh që thirren kur deti, shkëmbinjtë dhe errësira e shndërrojnë një kërkim në një garë kundër kohës, siç ndodhi në vitin 2018 në shpellën e përmbytur të Tham Luang, në Tajlandë.
Të hënën, ata lokalizuan katër trupat e mbetur brenda dhomës së tretë dhe të fundit të shpellës, “praktikisht pranë njëri-tjetrit”. Plani është që dy nga trupat të nxirren të martën dhe dy të tjerët të mërkurën.
Sipas ekspertëve, sa më thellë të zhytesh, aq më shumë rritet presioni çka do të thotë se çdo frymëmarrje çon më shumë oksigjen në mushkëri dhe në qarkullimin e gjakut, edhe nëse po merr frymë me ajër normal. Nëse ky ekspozim është shumë i lartë ose zgjat shumë, oksigjeni fillon të mbistimulojë sistemin nervor qendror dhe të dëmtojë indet.
Teorikisht, toksiciteti i oksigjenit fillon të shfaqet me ajër të kompresuar në rreth 55 metra thellësi.
Ekspertët thonë se për zhytje rekreative deri në 30 metra, që sipas operatorit të anijes nga ku u bë zhytja, disponohej leja, përdoret ajër normal i kompresuar me 21% oksigjen dhe 79% azot, por për zhytje më të thella përmbajtja e oksigjenit duhet të jetë mbi 32%. Për thellësi që arrijnë të paktën 50 metra, zhytësve u rekomandohet të përdorin të paktën dy bombola secili me përzierje të specializuar ajri.
Grupi që hyri në shpellë të enjten drejtohej nga Monica Montefalcone, 51 vjeçe, profesoreshë në Universitetin e Genovës dhe ekologe detare, e cila ishte një zhytëse e rregullt në ujërat maldiviane të Oqeanit Indian. Vajza e saj 22-vjeçare ishte mes katër studiuesve që humbën jetën, së bashku me një instruktor.
Trupi i instruktorit, i cili u gjet në hyrje të shpellës, është i vetmi që është rikuperuar deri tani, nga një thellësi prej 60 metrash.
Bashkëshorti i Montefalcones, Carlo Sommacal, tha në intervista për mediat italiane se gruaja e tij nuk do ta kishte vënë kurrë në rrezik vajzën e saj apo persona të tjerë. Ai e përshkroi atë si “një nga zhytëset më të mira në botë”, që kishte kryer rreth 5 mijë zhytje dhe që ishte “gjithmonë e kujdesshme” dhe “kurrë e pamatur”.
Komente











