Një grup fëmijësh shqiptarë nga Manastiri zhvilluan një takim të veçantë me kryeministrin Edi Rama në Tiranë.
Nxënësit, që janë pjesë e Bibliotekës “Linkest”, vizituan Kryeministrinë të shoqëruar nga ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani.
Takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë, ku në qendër ishte krenaria dhe dashuria për gjuhën shqipe dhe ruajtja e identitetit kulturor te brezat e rinj shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë.
Ambasadori Meidani ndau edhe pamje nga vizita, duke theksuar rëndësinë e mësimit dhe leximit në gjuhën shqipe për fëmijët shqiptarë jashtë vendit.
“ Në Kryeministri, së bashku me fëmijët nga Biblioteka “Linkest” në Manastir, në një takim të veçantë me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Fëmijë që mbajnë gjallë gjuhën shqipe, librin shqip dhe dashurinë për identitetin tonë, edhe përtej kufijve. Çdo fjalë e mësuar, çdo libër i lexuar në shqip është një urë që lidh brezat dhe një dëshmi se bijtë e shqipes, kudo që janë, e mbajnë gjallë gjuhën dhe kulturën e tyre. Ku ruhet gjuha shqipe, ruhet edhe shpirti i kombit" ka shkruar Meidani në Facebook.
Komente









