Një auditim i kryer nga Ministria e Financave në vitin 2016, në Projektin prej 42 milionë eurosh të Bypass-it Vlorë arrin në përfundimin se realizimi i tij është në rrezik.
 
Sipas raportit zyrtar të Ministrisë, sipërmarrësi i punimeve, kontraktori “Serenissima Costruksioni” nuk ka realizuar kontratën e Projektit sipas grafikut të punimeve, ndërkohë që rrezikon realizimin e Projektit në përmbushje të afatit dhe të vlerës së kontratës.
 
Duke u konsumuar mbi 60 % e kohës kontraktore, Ministria konstaton se në momentin e auditimit janë kryer vetëm 4% e punimeve.
 
Auditi fajëson edhe Autoritetin Rrugor Shqiptar se nuk ka ndërhyrë në kohë për ta paralajmëruar kompaninë “Serenissima Costruksioni” për prishje të kontratës për mosrespektim të afateve.
 
Ministria konstaton se paralajmërimi i parë dhe i fundit i bërë më datë 13.06.2016 për “Prishje të kontratës nga Punëdhënësi”, rezulton në kohën kur kishte kaluar rreth 50 % e kohës kontraktore dhe punimet në fakt rezultojnë në masën rreth 4 %, kundrejt detyrimit në masën rreth 55 % të punimeve.
 
Mosveprimi në kohën e duhur për zbatimin e penaliteteve deri në prishjen e kontratës, ka rritur riskun e mosrealizimit të kontratës. 

Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)