Presidenti Bujar Nishani nga Austria ka “sulmuar” qeverinë për mungesë konsensusi. Nga Forumin Evropian Alpbach 2014, kreu i shtetit ka theksuar se qëndrimi i dyfishtë me kërkesa për standarde të larta demokratike në opozitë dhe qëndrimet autoritare në pozitë ngadalësojnë procesin e zhvillimit të demokracisë dhe të reformave.
 
“Ndryshimi i mentalitetit është sfida më e vështirë e shoqërisë shqiptare dhe e shoqërive pastotalitare në përgjithësi. Mungesa e tolerancës dhe konsensusit dhe qëndrimi i dyfishtë me kërkesa për standarde të larta demokratike në opozitë dhe  qëndrimet autoritare në pozitë, qëndrimi në pritje në vend të marrjes së nismave janë shfaqje e mentalitetit të shkuar, të cilat ngadalësojnë procesin e zhvillimit të demokracisë dhe të reformave”, ka thënë kreu i shtetit.
 
Një tjetër problem sipas presidentit është dhe “largimi i trurit”. Ai ka theksuar se “jemi përpjekur ta balancojmë nëpërmjet zbatimit të Programit “Brain Gain” që ka synuar në rikthimin e trurit në vend dhe “Fondit të Ekselencës” që synon përgatitjen e të rinjve në universitetet më të mira perëndimore”.
 
Sa i përket bashkëpunimit rajonal, Nishani tha se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë vendin  në BE. “Vendet tona të Ballkanit Perëndimor janë “pasagjerë” të të njëjtit tren, që ka për stacion final Bashkimi Evropian”, theksoi kreu i shtetit.
 
Të rëndësishme e ka cilësuar presidenti Nishani marrëveshjen Kosovë-Serbi, ndërsa projekti TAP sipas tij do t'i bashkojë edhe me tepër vendet e rajonit drejt sigurisë.

Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)