AUSTRI- Të gjithë emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Austri, duke derdhur kontributet shoqërore aty, do të mund t’i njihen vitet e punës në Shqipëri, nëse vendosin të rikthehen. Gjithashtu vitet e kontributeve në Shqipëri, do t’i njihen edhe në Austri nëse do përfitojnë aty pension. Kjo do të realizohet në sajë të marrëveshjes së mbrojtjes sociale, negociatat për nënshkrimin e së cilës janë hapur në Austri, gjatë takimit të ministrit Erion Veliaj me homologun e tij austriak.
 
Kjo marrëveshje do të vijë pas nënshkrimit të marrëveshjes së ngjashme me Belgjikën e realizuar para disa muajsh, ndërkohë që janë në përfundim edhe marrëveshjet me Luksemburgun dhe Hungarinë.
 
Në takimin e mbajtur mes palëve, raportohet se ministri austriak i Punës dhe Çështjeve Sociale, Hundstrofer, është shprehur i hapur për nënshkrimin e marrëveshjes për mbrojtjen sociale.
 
Ministri austriak, ndërkaq ka ofruar mbështetjen dhe eksperiencën austriake në realizimin e reformës së pensioneve, ndihmës ekonomike dhe personave me aftësi të kufizuar.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)