PRISHTINË - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami priti sot ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Johann Brieger, me të cilin bisedoi për proceset nëpër të cilat po kalon arsimi kosovar, planet për zhvillimin e arsimit dhe ndihmën që mund të japë shteti austriak në këtë drejtim.
Sipas KosovaPress, Bajrami e falënderoi ambasadorin austriak për ndihmën që ka dhënë shteti i tij për Kosovën, sidomos për arsimin kosovar për shume vite para dhe pas luftës.
Ai tha se, Qeveria e Austrisë është donatori më i madh i arsimit në Kosovë, ndërsa përmendi ndihmën e madhe që ka dhënë për arsimin e lartë në shumë segmente, përfshirë këtu edhe hapjen e dyerve të universiteteve austriake për studentët kosovarë.
Sa i përket arsimit të lartë, Bajrami tha se do të jetë prioritet në punën e tij, dhe për zhvillimin e këtij niveli të arsimit, fillimisht do të fillojë debati për ndryshimin e Ligjit për Arsimin e Lartë, për të cilin kërkoi përkrahjen e shtetit austriak.
Ambasadori Brieger tha se ndjehet shumë i kënaqur që vendi i tij ka pasur mundësi ta ndihmojë arsimin kosovar që nga vitet '90, dhe premtoi bashkëpunim të vazhdueshëm në të mirë të zhvillimit të arsimit në Kosovë./ATSH/