Nuk ka qenë vetëm ky lajm pozitiv që vjen nga Austria, por është edhe ajo e mbajtjes se marrëdhënieve të mira tregtare dhe të sipërmarrjes mes dy shteteve. Kryeministri Rama e siguroi Presidentin Fischer për klimën pozitive të biznesit në Shqipëri dhe ftoi sipërmarrësit austriakë të investojnë në vendin tonë. Nga ana e tij, kryeministri Rama e njohu Presidentin Fischer edhe me prioritet e qeverisë së re në integrimin sa më të shpejtë të vendit në Bashkimin Europian.
Eliot Engel
Kryeministri Rama, në kuadër të takimeve në Nju Jork ka zhvilluar edhe një takim miqësor me kongresmenin Eliot Engel, i cili, sipas njoftimit zyrtar nga Kryeministra, e ka përgëzuar Edi Ramën për fitoren e thellë në zgjedhjet e 23 qershorit, si edhe për programin qeverisës që mori votëbesimin e parlamentit.
Hashim Thaçi
Kryeministri Rama ka zhvilluar edhe një takim me homologun e tij kosovar Hashim Thaçi në Nju Jork. Kryefjala e këtij takimi ka qenë sigurisht njohja e Kosovës si vend i pavarur nga ata që enden nuk e kanë mbështetur si dhe për çështjen e integrimit në Bashkimin Europian. Nga ana e tij, kryeministri Rama u shpreh se në atë takim pune u diskutua koordinimi i forcave në funksion të njohjeve të reja të shtetit të Kosovës: “Ishte kënaqësi e posaçme që u takuam, edhe pse takimet midis nesh janë gjithnjë e më të shpeshta. Ishte kënaqësi aq më tepër këtu në Nju Jork, në këtë moment të rëndësishëm të vitit politik dhe padyshim, që mundëm të shkëmbejmë pikëpamjet për thellimin e një procesi bashkëpunimi që tanimë ka filluar.
Në ndërkohë shkëmbyem mendime edhe për koordinimin e forcave në funksion të njohjeve të reja të shtetit të Kosovës, si dhe në funksion të partneriteteve ekonomike midis nesh dhe me palë të treta”. Ndërsa nga ana tjetër kryeministri Thaçi nënvizoi se “E falënderova edhe njëherë Kryeministrin Rama për mbështetjen e fuqishme, që po jep për Republikën e Kosovës në procesin e njohjeve, në çdo takim që ka patur me lidershipin botëror këtu në Nju Jork. Ne diskutuam për hapat që do ndërmerren për bashkëpunimin strategjik mes Shqipërisë dhe Kosovës, për paqen dhe stabilitetin në rajon. Natyrisht, kemi një agjendë e cila lidhet drejtpërdrejtë edhe me procesin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës. Për këtë çështje, që njohjet të rriten, besoj se angazhimi i Shqipërisë dhe i Kryeministrit Rama do të vazhdojë të jetë fuqimisht i përkushtuar”.
Shkrimi u publikua sot (25.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)