Shqiptarët patën rezultatet më larta në rajon sa i takon një vrojtimi që testoi njohuritë e tyre mbi rreziqet financiare. Banka Kombëtare e Austrisë zhvilloi vitin e kaluar në vendet e Europës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor një vrojtim mbi njohuritë e individëve në katër fusha kryesore: normat e interesit, norma e inflacionit, kursi i këmbimit dhe rreziqet financiare.
Sipas vrojtimit, individët në Shqipëri kanë njohuri relativisht të kënaqshme për sa i takon rrezikut financiar. Ndërkohë, ata paraqiten relativisht të kufizuar në drejtim të njohjes së rrezikut të kursit të këmbimit, të normës së interesit dhe inflacionit.
Shqiptarët kanë njohuritë më të mira në rrezikun e investimit të vlerave monetare se vendet e tjera të Ballkanit. 44% e të anketuarve në Shqipëri dhanë përgjigje të saktë, teksa kjo përqindje ishte më e ulët në Serbi 28%, Maqedoni 31% dhe Bosnjë 31%. Banka e Qendrore e Austrisë e kishte shtuar pyetjen mbi rrezikun financiar në këtë mënyrë: “Në rastin kur një investitor shpërndan paratë e tij në aktive të ndryshme, rreziku për të humbur para rritet/ ulet/ nuk ndryshon?”. Përqindja e shqiptarëve që dhanë përgjigje të saktë ishte më e lartë se në vendet e Ballkanit Perëndimor, por më të ulët se vendet e tjera të Europës Lindore si Çekia dhe Hungaria. Por shqiptarët kishin njohuri më mirë për rreziqet financiare edhe se kroatët dhe rumunët.
Por, nga ana tjetër, shqiptarët u paraqitën me kufizime në lidhje me njohuritë që kishin mbi normat e interesit dhe për inflacionin.
Pyetjes: “Supozoni që norma e interesit në llogarinë tuaj të kursimit të ishte 4% në vit dhe inflacioni 5% në vit. Duke injoruar çdo tarifë tjetër bankare, pas 1 viti, do të mund të blini më shumë, ekzaktësisht njësoj, apo më pak se sot me paratë në këtë llogari?”, i janë përgjigjur saktë vetëm 45% e shqiptarëve, teksa vendet e Ballkanit dhe ato të Europës Lindore u paraqitën më mirë, duke përjashtuar Rumaninë e cila i kishte përgjigjet e sakta më pak se Shqipëria.
Gjithashtu pyetjes: “Supozoni se keni marrë një kredi në euro. Më pas, kursi i këmbimit për monedhën vendase zhvlerësohet kundrejt euros. Si do të ndikojë kjo në shumën e parasë në monedhë vendase që do t’ju duhet për të paguar këstin e kredisë?” Pagesa e këstit rritet/ qëndron e pandryshuar/ ulet, iu përgjigjën saktë vetëm 34% e të anketuarve në Shqipëri.
Shqiptarët, në këtë aspekt, u paraqitën më dobët se të gjitha vendet e tjera të rajonit, vetëm 34% e të anketuarve, niveli më i dobët në Rajon. Monitor