TIRANE- Transporti publik pritet të paralizohet këtë fundjavë nëse qeveria dhe institucionet e tjera përgjegjëse nuk do të marrin një vendim. Sindikatat e Transportit dy javë më parë theksuan se presin zgjidhje të problemit sa i përket çështjes së pagesave nga operatorët privatë të cilat operojnë në kryeqytet, ndërkohë këto të fundit theksojnë se nuk kanë mundësi të paguajnë punonjësit e tyre. Për shkak të kësaj situate të krijuar, nëse nuk do të ketë një vendim deri në datën 13 shkurt, kohë kur edhe u është lënë afat operatorëve privatë të kryejnë pagesat, sindikata do të marrë vendimin për pezullim 24 orë të transportit publik.

Ndërkohë drejtuesit e firmave që mundësojnë transportin publik theksojnë se ata nuk janë në gjendje të shlyejnë detyrimet. “Ne jemi në pritje të vendimit që do të marrë qeveria për rritjen e çmimit të biletës, ndërkohë që i është dërguar edhe një letër kryeministrit. Aktualisht nuk jemi në gjendje të paguajmë detyrimet e prapambetura që u kemi punonjësve, pasi shpenzimet që përballojmë janë shumë të mëdha” thekson Ferdinand Ibrahimi drejtues i një prej firmave operatore në kryeqytet. Nga ana tjetër, të gjendur përballë deklaratës së bërë nga Ministria e Transporteve për kalimin e kompetencave nga pushteti qendror në atë vendor, në lidhje me çmimin e biletës Shoqata e Transportit Publik i është drejtuar me një letër të hapur Kryeministrit Edi Rama, duke i kërkuar këtij të fundit të ndërhyjë në zgjidhjen e problemit të krijuar.

“U bënë rreth 4 muaj që janë bërë shumë takime midis Shoqatës Kombëtare të Transportit Urban, Ministrisë së Financave dhe Transportit për të arritur në një pikë të përbashkët ku si qytetarët ashtu edhe operatorët të mos dëmtoheshin. Duke parë situatën ekonomike, ne pranuam propozimin për rritjen e çmimit të biletës me 50 lek plus kompensimin e personave që e përfitojnë me ligj. Por kalimi i kompetencave na ktheu në pikën 0, ndaj kërkojmë një zgjidhje nga ju” thuhet në letrën e bërë publike nga Shoqata e Transportit. Ndërkohë që ketë javë pritet që në Parlament të kalojë edhe amendimet ligjore për transferimin e të drejtës së përcaktimit të çmimit të biletave të transportit urban autoriteteve të pushtetit vendor.
 
faksimile

Shkrimi u publikua sot (11.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)