Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentimit të autobusit të linjës së Unazës, i cili përfundoi në lumin e Lanës gjatë mbrëmjes së të premtes, ndërsa mori para edhe një automjet tip “Benz”. Çështja po hetohet nga prokurori Shpëtim Garunja, i cili e ka regjistruar ngjarjen deri tani si kundërvajtje penale, pasi si pasojë e aksidentit kishte vetëm të plagosur lehtë dhe jo viktima. Sipas burimeve nga organi i akuzës, kjo ka sjellë edhe në mos arrestimin e asnjë prej drejtuesve të mjeteve.

Të njëjtat i burime i thanë Report Tv se pritet ekspertiza e mjeteve nga eksperti autoteknik, e cila do të përcaktojë shkakun e saktë të ngjarjes që për pak sa nuk rezultoi në tragjedi.

Nga verifikimet paraprake dyshohet për dy pista. E para për një gabim njerëzor të drejtuesit të autobusit, Muhamet Kyçuku, apo një keqfunksionim elektrik të mjetit. Shoferi 62-vjeçar, sipas burimeve, vijon të insistojë se autobusi nuk i ka funksionuar. Gjithsesi, ekspertiza pritet të zgjasë deri në 20 ditë pasi autobusi është hybrid, çfarë shton më tej vështirësinë e përcaktimit të shkakut.

Por si ndodhi ngjarja?

Autobusi i Unazës sapo kishte dal nga stacioni dhe shpejtësia e tij sipas burimeve, e verifikuara përmes kamerave të sigurisë, nuk ka qenë e lartë. Kur nuk kishte ecur më shumë se 30 metër, krejt papritur është futur në korsinë e majtë, duke marrë përpara automjetin tip “Benz”, i cili është rrokullisur bregut të Lanës dhe ka përfunduar poshtë autobusit. Si pasojë e këtij aksidenti mbetën të plagosur lehtë pesë persona. Akoma nuk është zyrtare, por pritet që autobusi të mos lëvizet nga vendi, për ta kthyer në instalacion ndërgjegjësues ndaj aksidenteve rrugore.