Në Maqedoninë e Veriut 52-vjeçari Besim Sherifi dyshohet autor i një vrasjeje të trefishtë në vitin 2007. Por në Tiranë, kishte gjetur strehën e arratisë prej 10 vitesh, derisa të martën u arrestua nga forcat e policisë.
Deri në ato momente, Besim Sherifi bënte një jetë normale, si të ishte qytetar i lirë, pa një urdhër arresti ndërkombëtar që ishte lëshuar për të prej vitit 2007 me një masë arresti nga Gjykata e Shkupit.
52-vjeçari ishte kamufluar pas një identiteti fals. Kishte kartë identiteti, leje drejtimi dhe pasaportë si të ishte shqiptar i Kosovës. Report Tv mësoi se Besim Sherifi mbante emrin e rremë, Besnik Xhaka. Ky identitet dyshohet se i përket realisht një shqiptari të Kosovës.
I kërkuari për vrasje jetonte në një shtëpi me qira në zonën e Liqenit të Thatë në Tiranë. Kur forcat operacionale ndërhynë i gjetën edhe dokumentet false. E çuditshme mbetet një fakt. Me këtë identitet të rremë, Besimi Sherifi, kishte mundur të marrë nga autoritetet shqiptare, edhe leje qëndrimi. Kjo pikë e rëndësishme e një shkelje të rëndë ligjore, por hetohet. Burimet thanë se procedura e marrjes së lejes, veç dokumenteve të identifikimit, përfshin edhe marrjen e shenjave të gishtërinjve. Hap ky, që dyshohet se nuk është kryer përsakohë autoritetet nuk e zbuluan në kohë që 52-vjeçari ishte në kërkim ndërkombëtar me sinjal të kuq. Ndërkohë nuk përjashtohet edhe mundësia që edhe karta e lejes së qëndrimit të jetë e falsifikuar.
Në arratinë e gjatë në Tiranë, shqiptari i Maqedonisë së Veriut, merrte edhe vizita nga familjarët. Pikërisht, trokitja në derë nga djali i tij rreth 2 muaj më parë, çoi policinë drejt strehës së arratisë, te Liqeni i Thatë.
Burime për Report Tv thonë, se fillimisht, Besim Sherifi, u shoqërua në polici pa iu treguar se kishin nisur dyshimet se ai nuk ishte shqiptari i Kosovës në letra, por i kërkuari i drejtësisë. Kjo ishte një skemë, për t’i marrë shenjat e gishtave.
Ngjarja tragjike për të cilën 52-vjeçari ishte në kërkim, ka ndodhur më 5 tetor të 2007 në fshatin Kopanicë të Shkupit. Tre pjesëtarë të një fisi u vranë nga familja Sherifi. Nga drejtësia në Maqedoninë e Veriut janë dënuar me burg përjetë babai dhe vëllai i të arrestuarit në Tiranë, ndërsa vëllai i madh me 10 vite.
Komente









