Detaje të reja janë mësuar nga vrasja e 78-vjeçarit në Bulgarec. Trupi i pajetë i Gëzim Vija u gjet nga punonjësi i postës, i cili shpërndante pensionet. Ai e kishte thirrur 78-vjeçarin për të dalë tek dera si zakonisht, por kur nuk mori përgjigje, njoftoi fqinjët. Ata hapën derën e banesës dhe gjetën trupin e pajetë të të moshuarit, ndërsa njoftuan policine.

Ekspertiza mjeko-ligjore konstatoi se 78-vjeçari kishte një plagë të thellë në kokë, e shkaktuar nga një mjet i fortë, që i mori jetën. Dyshohet se autori dhe viktima janë përleshur para se të goditej për vdekje.

Ekspertët kriminalistë u kthyen sërish sot në vendngjarje, duke kryer veprime hetimore brenda banesës. Një automjet i dyshimtë u gjet në rrugë para shtepisë, ku po kryhen kontrolle dhe ekzaminime.

Familjarët dhe të afërmit e viktimës janë thirrur në komisariat për të dhënë deklarimet e tyre, por deri tani s’kanë dhënë informacion të vlefshëm që të orientojë policinë drejt identifikimit të autorit apo motive të krimit. Fqinjët sakaq kanë deklaruar se i moshuari nuk ishte natyrë konfliktuale. 

Gëzimi ishte shumë njeri i mirë,ishte i nderuar,i respektuar me të gjithë njerëzit, as në qafë nuk të binte asgjë. Unë banoj jashtë shtetit, kur erdha këtu më thanë për Gëzimin. U çuditëm. Ishte shumë i respektuar. Nuk e di si ndodhi kjo, nuk ka pasur konflikte me asnjë, dyer, makina hapur i linim, është lagje e qetë. Me djemtë shkonte shumë mirë”, tha Simon Muço, banor

78-vjecari, Gëzim Vija, jetonte i vetëm në banesë prej 25 vitesh ne fshatin Bulgarec pasi ishte i divorcuar. Kishte 4 fëmijë, dy prej të cilëve jetojnë në Korçë dhe dy të tjerë jashtë shtetit, të cilët u kthyen për t’i dhënë lamtumirën e fundit.