Autoriteti i Dosjeve nis hetimin për vrasjet në burgun e Spaçit, kërkime për trupat e 44 të zhdukurve

Autoriteti i Dosjeve nis hetimin për vrasjet në burgun e Spaçit, kërkime për trupat e 44 të zhdukurve

Burgu i Spaçit

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka nisur hetimin për fatin e 44 të zhdukurve që dyshohet të jenë vrarë në burgun e Spaçit. Atyre nuk u dihen vendvarrimet ndaj ka nisur hetimi administrative për verifikimin dhe qartësimin e fatit të viktimave të diktaturës komuniste.

(AIDSSH) po bashkëpunon edhe me organet e pushtetit lokal për ruajtjen nga tjetërsimi, me institucionet ligjzbatuese për rikuperimin e eshtrave të personave të vrarë ose të vdekur gjatë vuajtjes së dënimit, në burgun e Spaçit.

“Grupi i specialistëve të Autoritetit, në bashkëpunim me institucionet vendore punuan për mbledhjen e fakteve paraprake, dëshmive dhe të dhënave rreth burgut të Spaçit me qëllim hedhjen dritë mbi pasojat që ka sjellë shfrytëzimi i punës dhe dhuna ndaj  të dënuarve në Kampin e Punës së Detyruar-Spaç. Autoriteti mori nismën në përkujtim të 50-vjetorit të revoltës së të burgosurve në Spaç, gjatë së cilës lindi si nevojë hetimi i thelluar mbi ngjarjen, arsyet që sollën zhvillimin e saj dhe pasojat.

Nisur nga analiza e dokumentacionit arkivor të ish- Sigurimit të Shtetit dhe dokumenteve të tjera zyrtare mbi punën e detyruar, impaktin e saj në ekonominë e vendit, dëshmitë gojore autentike të ish-të burgosurve politik në këtë kamp, si dhe nga  komunikimi me institucione lokale, Autoriteti ndërtoi narativën  mbi ngjarjen dhe historinë e burgut-kamp të Spaçit, ku mes të tjerash lindi nevoja e verifikimit të dyshimeve, të raportuara, për vendvarrimet e fshehta dhe qartësimit të fatit të personave që kanë humbur jetën në këtë burg, si rezultat i ekzekutimeve, vrasjeve apo edhe vdekjeve të të burgosurve gjatë vuajtjes së dënimit”, njofton Autoriteti i Dosjeve.

Nga kërkimet e bëra në dokumentet që gjenden në Autoritet, apo në institucione të tjera, si Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, janë 44 ish të dënuar, që janë ekzekutuar, vrarë ose kanë vdekur nga mundimi dhe sëmundjet gjatë vuajtjes së dënimit, aksidentet në punë apo në tentativë arratisje.

Sipas hetimeve paraprake të grupit të punës janë siguruar fakte të tilla si: Personat që ekzekutoheshin, apo vdisnin gjatë vuajtjes së dënimit, varroseshin nga personeli i burgut në vende jashtë territorit të burgut, duke u pamundësuar të afërmve të tyre, në çdo rast që të marrin trupin; vendet që kanë shërbyer si vendvarrime për të burgosurit që kanë humbur jetën në Spaç, dyshohet se gjenden pranë varrezave të fshatit Shpal, në fshatin Gëziq, Kodër Spaç, rreth 1 km në jug-perëndim të Burgut të Spaçit; si dhe në disa  raste  ekzekutimet janë kryer në vende, ku si kriter i vetëm ishte largësia nga zonat e banuara.

Autoriteti është në pritje të miratimit të Vendimit të Këshillit të Ministrave “Për mënyrën e mbrojtjes dhe ruajtjes së vendvarrimeve të identifikuara ose të dyshuar “. Autoriteti si një nga autoritetet përgjegjëse po merr masat paraprake dhe do të  ndërveprojë me pushtetin vendor, Mirditë, duke siguruar mbrojtjen e vend varrimeve të identifikuara apo dyshuara, duke siguruar në çdo rast ruajtjen e integritetit të vendit të ngjarjes dhe mbetjeve mortore.

“Autoriteti siguron publikun se rezultatet  e këtij hetimi do të bëhen transparente dhe me punën e tij të të thelluar, në bashkëpunim me institucione përgjegjëse, do të bëjë ç ‘është e mundur që  plaga e pambyllur e familjeve të cilat janë kërkim të qartësimit të fatit të familjarit të tyre, vrarë pa gjyq apo ekzekutuar në kushte jo njerëzore, të mbyllet me gjetjen e tyre dhe nderimin që u takon, pranë familjeve”, përfundon njoftimi i Autoritetit.

Skica e burgut të Spaçit

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë