Autoriteti i Konkurrencës gjobit me 1.6 milionë lekë koncesionarin e parkimit në Aeroportin e Tiranës

Autoriteti i Konkurrencës gjobit me 1.6 milionë lekë koncesionarin e parkimit në Aeroportin e Tiranës

Aeroporti ‘Nënë Tereza’

Autoriteti i Konkurrencës mbylli këtë javë procedurën e hetimit të thelluar në tregun e menaxhimit të faciliteteve të parkimit të aeroportit “Nënë Tereza” dhe gjobiti ndërmarrjen Star Parking Albania në vlerën e 1% të xhiros vjetore ose rreth 1.6 milionë lekë.

Pas verifikimit të dokumentacionit të depozituar nga ndërmarrja Star Parking Albania, Autoriteti i Konkurrencës e vlerësoi këtë dokumentacion si jo të plotë, duke mos pasur informacion thelbësor si për analizën e detajuar për formimin e çmimit të telepasit, kopje të kontratave të

lidhura me subjektet që operojnë në tregun e transportit të udhëtarëve si dhe për çdo subjekt tjetër, për periudhën 1 janar 2019 – 31 dhjetor 2021, si dhe shpjegimet përkatëse për subjekte të cilave nuk ju është rinovuar kontrata e qerasë për vitin 2022, duke vështirësuar procedurat hetimore.

Megjithatë, Autoriteti i Konkurrencës ka vlerësuar se angazhimet e depozituara nga ndërmarrja Star Parking Albania SHPK janë të mjaftueshme për të adresuar shqetësimet e konkurrencës në tregun e menaxhimit të faciliteteve të parkimit të Aeroportit “Nënë Tereza” (Tirana International Airport), duke i përcaktuar këto angazhime si të detyrueshme, në formën e kushteve dhe detyrimeve.

Ndërmarrja Star Parking Albania duhet të hartojë një metodologji për llogaritjen e kostove për formimin e çmimit të telepasit dhe të aplikojë tarifa të orientuara drejt kostos, për ndërmarrjet që pajisen me telepas si dhe për çdo shërbim tjetër.

Gjithashtu, ndërmarrjes Star Parking Albania i është vendosur detyrimi i parashikuar në ligjin “Për mbrojtjen e konkurrencës për të mos abuzuar me pozitën dominuese, veçanërisht me vendosjen, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, e çmimeve të padrejta të blerjes ose shitjes apo e kushteve të tjera të padrejta të tregtimit; kufizimin e prodhimit, tregjeve ose zhvillimit teknik; zbatimin e kushteve të pabarabarta për veprime tregtare të njëjta me palët, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurrence; vendosjen e kushteve për lidhjen e kontratave me palët e tjera, që këto të fundit të pranojnë detyrime shtesë, të cilat, për vetë natyrën e tyre ose sipas praktikave tregtare, nuk kanë lidhje me objektin e kontratave në fjalë.

Për përmbushjen e kushteve dhe detyrimeve të përcaktuara në vendim ndërmarrja Star Parking Albania do të monitorohet për një periudhë 1 vjeçare.

Në janar të këtij viti, Autoriteti i Konkurrencës hapi hetim të thelluar ndaj kompanisë Star parking Albania, për shkak të dyshimeve të abuzimit me pozitën dominuese në tregun e menaxhimit të faciliteteve të parkimit të aeroportit “Nënë Tereza” (Tirana International Airport).

Ndërmarrja Star Parking Albania, e ofron këtë shërbim mbështetur në një marrëveshje marrëveshjes ekskluzive që ka lidhur me shoqërinë koncesionare TIA.

Përgjatë procedurave të hetimit paraprak të kryera nga Autoriteti i Konkurrencës u konstatua se ndërmarrja Star Parking, në vitin 2020, ka trefishuar çmimin për tarifat e parkimit, duke e argumentuar me rritjen e shpenzimeve të riparimeve dhe të mirëmbajtjes përgjatë atij viti.

Gjithashtu, Autoriteti i Konkurrencës evidenton se Star Parking ka përcaktuar kushte të pabarabarta në kontratat e qerasë të lidhura me ndërmarrjet të cilat operojnë në tregun e transportit të udhëtarëve me autobus nga Aeroporti i Tiranës.

Koncesioni i Aeroportit të Tiranës ka qenë shpesh objekt i vlerësimeve të Autoritetit të Konkurrencës në dekadën e fundit, të lidhura kryesisht me vetë kompaninë koncesionare TIA, por edhe me kontraktorë të saj, si AIR BP apo, në këtë rast, Star Parking Albania. Ky institucion ka arritur në konkluzionin se tarifat e aplikuara nga kompania koncesionare dhe nënkontraktorët e saj kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen e kostove të operimit të kompanive ajrore në këtë aeroport./Monitor

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Emigrant: 11/11/2022 06:53

    Mos e pafshit nje dite bardhe ,jua dhente zoti ku tju dhembi me shume sepse TIA ne bashkepunim me kompanit hajdute si wizzair &co po grabisin shqiptaret.Nje udhetim Frankfurt Tirane ne muajin dhjetor janar 1700 € 4 persona shto ketu dhe kostot e bagazheve . Plehra !!

    Përgjigju
    • Petrit: 11/11/2022 09:50

      Cfare faji ka o njeri Aeroporti Rinas ?, ti bileten po e blen te kompania Wizzair qe eshte Hungareze, dhe po e blen ne Gjermani. Ankohu qeverise Gjermane, sepse nisjen po e ben nga Gjermania. Ke pare dhe bote me sy pale.

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Lulja e kuqe e Krishtlindjeve, si të kujdeseni për ta pasur sa më gjatë në shtëpi

Lulja e kuqe e Krishtlindjeve, si të kujdeseni për ta pasur sa më gjatë në shtëpi