Kostoja prej 600 milionë euro vetëm për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Shkup, do të jetë një barrë e madhe për buxhetin e Kosovës për vitin 2014, por edhe dy vitet tjera, sa planifikohet të zgjasë ndërtimi i saj. Një luks i tepruar për kohën dhe pozitën që gjendet ekonomia e pazhvilluar e shtetit tonë.

Mirëpo, përveç kësaj shume, nga arka e shtetit do të merren edhe rreth 50 milionë euro tjera për shpronësimin e tokave kah do të kalojë ajo, e që për momentin askush nuk i di. Traseja po ruhet si “sekret” shtetëror, pasi që për dikë ajo mund të shërbejë si “burim” i madh përfitimi material. Tek e fundit, kështu pati ndodhur edhe gjatë realizimit të projektit për ndërtimin e autostradës Besi - Morinë.

Por, fillimi i punimeve thuajse pa paralajmërim fare, ka lënë pas vetes shumë dilema dhe paqartësi rreth projektit në fjalë.
Kryeministri Thaçi në ceremoninë e fillimit të punimeve, kumtoi vetëm lajmin se autostrada do të ketë një kosto prej 600 milionë euro.

Mirëpo, përveç kësaj, asnjë detaj nuk është bërë publik. Diçka e zakonshme kur bëhet fjalë për projekte të tilla siç është ndërtimi i autostradës.

Po ashtu, një gjë e tillë ndodhi edhe në tenderin për ndërtimin e autostradës Besi - Morinë, ku kontrata finale asnjëherë nuk është bërë publike, duke e trajtuar si çështje konfidenciale mes Qeverisë dhe kompanisë private amerikane-turke “Bechtel&Enka”.

Në aspektin praktik, ndërtimi i autostradave kosovarëve ua ka shkurtuar rrugën për pak minuta për në destinacionet e tyre, kryesisht për vizita vikendi në Shqipëri, lidhje familjare, apo edhe punë tjera të kësaj natyre.

Ndërkaq, vendeve fqinje iu ka ndihmuar bukur shumë në zhvillim ekonomik, pasi që Kosova nuk ka pasur çka të eksportojë, por vetëm ka importuar nga vendet e rajonit, por edhe më gjerë.

Të zëmë gjatë muajit maj të këtij viti, Kosova ka eksportuar në Shqipëri produkte me vlerë prej rreth 3 milionë euro. Mirëpo, nga ky shtet thuajse ka importuar trefish më shumë.

Po ashtu, edhe me Maqedoni Kosova ka eksportuar 3.7 milionë. Ndërkaq, në anën tjetër ka importuar më shumë se 11 milionë euro, produkte ushqimore e joushqimore.

Nëse bazohem në këto të dhëna të Agjencisë së Statistikave të Kosovës defakto shihet se autostrada po zhvillon shtetet fqinje, ndërkaq po e dëmton rëndë buxhetin edhe ashtu të varfër të shtetit tonë.

Pa dyshim se Kosova ka nevojë për rrugë të mira. Por, para kësaj shteti ynë ka nevojë për zhvillim ekonomik e hapje të vendeve të reja pune.

Por, me projekte të tilla siç është ky për ndërtimin e autostradës për në Shkup, Kosova nuk mund të përfitojë as nga opsioni i parë e as ai i dytë.

Nga realizimi i projektit tjetër për ndërtimin e autostradës Besi - Morinë, është dëshmuar se Kosova nuk ka përfituar shumë as në aspekt ekonomik, pasi që shumica e parave kanë dalë jashtë shtetit, por as në punësim, pasi që një numër i konsiderueshëm i punëtorëve me paga të mëdha kanë ardhur nga Shqipëria e Turqia, apo edhe vende tjera të botës.

Nga Kosova janë punësuar kryesisht punëtorë krahu me paga shumë minimale, madje në disa raste ato kanë qenë edhe më të ulëta sesa është paga mesatare në vendin tonë.