TIRANE- Pas datës 13 Janar, avionët e kompanisë së fluturimeve "Fly Ernest", nuk do të ngrihen më në qiell për të fluturuar. Ditën e sotme, Aviacioni Civil Italian ka marrë këtë vendim nisur nga vonesat e shumta të avionëve të kësaj linje që përshkojnë linjat ajore Shqipëri-Itali si dhe Shqipëri-Ukrainë.

Në motivacionin për pezullimin e kontratës, Aviacioni Civil Italian shpjegon se kjo kompani fluturimesh vononte fluturimet për pasagjerët si dhe ngatërronte destinacionin e tyre pa i dhënë në këmbim asnjë lloj dëmshmërblimi financiar dhe pa garantuar mbërritjet e tyre në destinacionin e prenotuar. Kjo ka bërë që qytetarë të shumtë të mbeten në aeroporte për ditë të tëra, duke humbur prenotimet, por edhe takime të rëndësishme pune.

Ndonëse licenca e tyre është pezulluar prej ditës së sotme, avionët e "Fly Ernest" do të vijojnë punën për shkak të biletave të shitura deri në datë 7 janar drejt Ukrainës dhe deri në 13 Janar drejt shtetit italian. Tashmë ajo nuk ka më të drejtë të shesë bileta, dhe deri në 13 janar do të jetë në monitorim për sjelljen që do të bëjë ndaj pasagjerëve.

Njoftimi i publikuar në faqen e Autoritetit Civil Italian

Në faqen e saj zyrtare, kjo kompani ajrore njofton se pas 13 Janarit do të pezullohen përkohësisht të gjitha fluturimet drejt disa qyteteve italiane, si Milano, Bergamo, Napoli, Bari, Verona, por edhe destinacioneve të tjera.

Njoftimi në faqen e Fly Ernest për pezullimin e fluturimeve pas 13 janarit

Vetëm një javë më parë, Shqiptarja.com denoncoi vonesat e kësaj linje ajrore të nisur nga Tirana drejt Bergamos. Avioni që duhet të ishte nisur në orën 16:30, u ngrit në qiell pas 10 orësh, në 02:50 të mëngjesit.

Një ditë para nisjes qytetarët ishin lajmëruar se fluturimi i tyre do të shtyhej në orën 00:30. Por teksa udhëtarët ishin nisur drejt aeroportit për fluturimin e orës 00:30, ata u lajmëruan në momentet e fundit, se nisja nga Tirana për në Bergamo do të bëhej në orën 01:45. Avioni u ngrit në ajër edhe një orë tjetër me vonesë, në 02:50.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:39
Pas lajmit në Report Tv reagon Autoriteti Civil Shqiptar: Pezullohet licensa e kompanisë 'Fly Ernest'

1577626873_autoirtet.jpg

Lajmin për pezullimin e licencës së kompanisë së fluturimeve "Fly Ernest", Autoriteti Civil Shqiptar e ka marrë nga Report Tv. Menjëherë pas kontaktit që gazetari i Report Tv Arsen Rusta ka pasur me kreun e Autoritetit Civil Shqiptar Krislen Keri, ai ka sqaruar vendimin e shtetit italian.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar, AAC sqaron se pas datës 13 janar, Fly Ernest nuk do të jetë më në treg.

Deklarata e plote

Nëpërmjet deklaratës për shtyp n. 96/2019 të Autoritetit Italian të Aviacionit Civil (ENAC), njoftohemi se ENAC ka nxjerrë aktin e pezullimit të licencës së kompanisë ajrore "Ernest", duke nisur nga 13 Janari 2020.

Pezullimi do të hyj në fuqi më 13 Janar 2020, me qëllim që t'i jap kohë kompanisë për të informuar pasagjerët për anullimin e fluturimeve apo për t’i mbrojtur ata që e kanë prerë një biletë udhëtimi.

Sipas vendimit të ENAC, edhe pse licenca e kompanisë mbetet në fuqi deri më 13 janar 2020, duke marrë parasysh festat në Shqipëri dhe Ukrainë, "Ernest" nuk do mund të nxjerrë më bileta në shitje. ENAC gjithashtu vlerëson se lejimi i licencës deri në 13 Janar nuk rrezikon sigurinë në operim të kompanisë.

Gjatë kësaj kohe, nëse transportuesi siguron elementët e garancisë të kërkuara nga Rregullorja (KE) nr. 1008/2008, që përmban rregulla të përbashkëta për ofrimin e shërbimeve ajrore në Komunitetin Evropian dhe këto elementë vlerësohen në mënyrë të favorshme nga ENAC, masa e pezullimit mund të revokohet.

Nga ana e tij, Autoriteti i Avicionit Civil Shqiptar, ka vendosur menjëherë kontaktin me autoritetin italian, për të marrë më shumë informacion për situatën e krijuar dhe për planin e kompanisë për mbrojtjen e pasagjerëve që mund të preken.

AAC i bën apel të gjithë qytetarëve që mund të kenë prerë bileta me këtë kompani ajrore, që të konfirmojnë statusin e fluturimit të tyre me kompaninë ose agjencinë e biletës para ditës së fluturimit.