Nga qyteti i Lushnjës, ku inspektoi punimet për rikonstruksionin e Komisariatit të këtij qyteti, ministri i brendshëm Saimir Tahiri ka reaguar në lidhje me akuzat e opozitës se në plazhin e Semanit janë parë avionë sportiv që kryejnë trafik droge.

Ministri deklaroi se dashakeqësit vijojnë të hedhin baltë mbi policinë, ndërkohë që mundësinë për të folur në publik opozita e shfrytëzon si një mekanizëm për të gënjyer publikun.

Është radha e shumtë kur mundësia për të folur në publik shërben si një mekanizëm për të gënjyer publikun. Sqarimet përkatëse u bënë dhe institucionet shtetërore e bënë shumë të qartë të vërtetën e vetme lidhur me të ashtuquajturën “Ulje e avionëve të drogës”. Ju e keni të qartë të vërtetën. Ne punojmë ata gënjejnë. Ne mundohemi që t’iu shërbejmë mirë qytetarëve ata hedhin baltë mbi policinë e Shtetit” tha Tahiri.

Ministri më tej u shpreh se pas çdo rezultati të Policisë të Shtetit ka një akuzë nga SHQUP-i. Dhe kjo sipas Tahirit është një konfirmim që policia e shtetit është në rrugën e duhur.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)