Avokati i pilotit italian, Aleksandër Ndrejaj, i cili vetëm disa ditë më parë u rrëzua me avionin e tij në Ishëm, ka mohuar akuzat se klienti i tij është i përfshirë në trafik ndërkombëtar droge.
 
Në një intervistë të dhënë ai ka shtuar se, klienti i tij nuk ka bërë asnjë deklaratë ku të ketë pranuar një fakt të tillë.
 
Përveç kësaj, ai shprehet se Guidi ka qenë në Shqipëri më përpara, por thjeshtë si turist, ndërkohë që ka shtuar se në telefonin e tij janë gjetur vetëm numrat e kontaktit të familjarëve të tij dhe jo numra trafikantësh.
 
 Avioni tip “Piper” i cili pilotohej nga 69-vjeçari Guido Guidi ngeci gjatë së enjtes së kaluar në grykëderdhjen e Ishmit, ku shkak për këtë sipas pilotit ishte një defekt çka detyroi atë që të bënte ulje të detyruar.

Menjëherë pas kësaj, piloti Guidi u mor në pyetje nga prokuroria pasi dyshohej për trafik droge.

Aktualisht ai është i lirë, por nuk ka të drejtë që të dalë nga vendi deri në përfundim të hetimeve.

Intervista e plotë e Aleksandër Ndrejaj, avokati i pilotit italian 

Ju jeni avokati i pilotit italian. Nga kontaktet që keni pasur deri tani me klientin tuaj, çfarë ka të reja nga ngjarja?
Siç dihet, para ca ditësh është ulur dhe ka pësuar defekt gjatë fluturimit një avion Italian që drejtohej nga piloti Gudo Guidi. Ai ka qenë duke bërë një lëvizje nga Bari dhe në bregdetin shqiptarë ka pësuar defekt dhe në momentin e rrotullimit ka pësuar defektin përfundimtar dhe ra në Ishëm.
 
Unë jam avokati dhe mund të them se për pretendimin për trafik ndërkombëtar droge kjo është një alibi e medias dhe që po përdoret nga politika. Ne nuk kemi lidhje fare.
 
Ju e keni marrë në mbrojtje që në ditën e parë?
Po, unë jam avokati i tij që në ditën e parë dhe kam komunikuar edhe me familjarët e tij për ta njoftuar për gjithçka përfshi këtu edhe shëndetin e tij.
 
Ju keni qenë prezent gjatë gjithë kohës kur klienti është marrë në pyetje?
Po, unë kam qenë gjatë gjithë kohës aty dhe ka thënë se ka ardhur për një udhëtim turizmi por ka pasur një defekt dhe ka bërë ulje të detyruar në Ishëm.
 
Është i njëjti version që ai ka thënë gjatë gjithë kohës?
Po, nuk ka ardhur për trafik dhe nuk ka bërë trafik droge.
 
Si i shihni deklaratat e organit të akuzës?
Prokuroria ka të drejtë që të flasë dhe detyra e saj është që të hetojë në lidhje me ngjarjen apo alibitë për provat dhe faktet që do paraqesë. Pati një shoqërim të një gazetari ku tha se ai do merrte 200 kilogram hashash.
 
Keni qenë prezent kur ai ka dhënë këtë dëshmi?
Ne kemi qenë duke dhënë dëshmitë dhe procesi ka përfunduar deri pas mesnate. Nuk e di sesi ky informacion ka mbërritur tek gazetari dhe nuk e kam idenë sesi e ka thënë këtë.
 
Piloti vijon që të qëndrojë këtu?
Prokuroria vijon që të bëjë hetime, kemi dhënë deklarimet tona dhe janë duke u verifikuar.
 
Çfarë ka dëshmuar, a e ka vizituar ai Shqipërinë para disa vitesh?
Po, përpara se të bëhej operacion, ai ka ardhur në Shqipëri si turist.
 
Zonën e Ishmit si e kishte gjetur, çfarë deklaroi?
Momenti i defektit jepet në çdo vend. Ai mund të kishte qëlluar në mes të detit.
 
Në telefonin e pilotit janë gjetur disa numra kontaktesh të disa organizatave kriminale?
Nuk është e vërtetë. Në telefonin e tij i janë gjetur vetëm numrat e familjarëve me të cilët kam kontaktuar edhe vetë.
 
Sa telefona mbante ai me vete?
Një telefon.
 
A i keni të besueshme deklaratat e tij?
Ai po tregon të vërtetën për ngjarjen. Në kemi versionin tonë, prokuroria ka po punon nga ana e saj.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)