Një avion luftarak amerikan F-16 është rrëzuar të martën pasdite brenda territorit të bazës ajrore amerikane Spangdahlem, në rajonin Eifel të landit Renania-Palatinat, në Gjermani.

Sipas raportimeve të mediave gjermane, avioni është rrëzuar rreth orës 14:10, pranë pistës së bazës. F-16 i përkiste Skuadronit të 480-të Luftarak të Krahut të 52-të Luftarak, të dislokuar në Spangdahlem.

Raportimet paraprake bëjnë me dije se piloti ka aktivizuar sistemin e nxjerrjes dhe ka arritur të shpëtojë. Ndërkohë, sipas rrjetit n-tv, që citon administratën rajonale të Bitburg-Prüm, të paktën një person ka mbetur i plagosur.

Dëshmitarë në zonë kanë raportuar se avioni humbi lartësi përpara se pranë pistës të ngrihej një kolonë e madhe tymi të zi. Mediat lokale raportojnë gjithashtu se dy avionë ishin ngritur në ajër përpara incidentit.

Shkaqet e rrëzimit nuk janë bërë ende të ditura. Deri në këto momente, autoritetet amerikane në bazën Spangdahlem dhe autoritetet gjermane nuk kanë dhënë detaje të plota mbi rrethanat e aksidentit apo gjendjen e personave të përfshirë.

Vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve.