"Unë e kam një përgjigje që e ardhmja e Shqipërisë është bujqësia dhe jo kanabis prandaj politika duhet të marrë vendim dhe jo t'i shmanget.
Por dhe partnerët Europianë. Është mjaft e rëndësishme që të vendoset në mënyrë të përgjegjshme, transparente, si do të sillemi në të ardhmen për këtë fenomen", tha kryetari i Kuvendit, Ilir Meta.
Deklarata e Metës është përshëndetur nga Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili ka shkruar në Facebook se rezultatet e punës në luftën kundër kanabisit janë konkrete, ndërsa ka theksuar se kjo luftë deri 3 vite më parë ishte e paimagjinueshme.
Tahiri akuzon Partinë Demokratike se po i shmanget të vërtetës, duke mosmbajtur përgjegjësi për atë që ndodhte gjatë qeverisjes së vendit prej tyre, ku Lazarati ishte shndërruar në Republikë kanabisi.
"E ndaj plotësisht opinionin e kryetarit të Kuvendit që kanabisi nuk luftohet duke iu shmangur të vërtetës, gjë që Partia Demokratike po e bën fatkeqësisht çdo ditë! Kush bën sot sikur çuditet, i shmanget qëllimisht të vërtetës se kanabisi ishte një fenomen i kudondodhur, por i fshehur nga sytë e publikut deri në vitin 2013, nga një qeveri e polici që mjaftohej me komunikata sekrete për rrënjët anembanë Shqipërisë, dhe garantonte fitimet marramendëse të Republikës së Lazaratit!
Ndërsa kush çuditet pafajësisht sot nga ky fenomen, është viktimë e asaj politike të vjeter që i shmangej përballjes me fenomenin duke e mbajtur jashtë vëmendjes së opinionit e të mediave!
Ilir Meta ka shumë të drejtë kur thotë se duhen dëgjuar edhe ndërkombëtarët. Kanë folur shumë qartë për vite me radhe, ndaj sot është inkurajim i madh çdo germë e raporteve të Departamentit të Shtetit dhe Gurdia di Finanza-s të cilat e kanë cilësuar luftën tonë të tanishme shumë shkoqur; "rezultate mbresëlënëse, falë angazhimit të lidershipit politik".
Natyrisht që kjo është një luftë që është larg së qeni e fituar, por siç do te tregojne faktet e shifrat qe kemi bere publike e do bejme ne vazhdim se bashku me partneret tane nderkombetare, eshte nje lufte me rezultate qe deri perpara tre vitesh as qe mund te parafytyroheshin", thuhet në reagimin e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Nga ana tjetër, gjatë vizitës në Korçë, Ilir Meta tha se e ardhmja e vendit mbetet zhvillimi i sektorëve si bujqësia dhe jo mbjellja e kanabisit.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com