Aktualisht hetuesit po përqendrohen te disa video që duket se kanë regjistruar momentet e fundit të fluturimit: në pamje shihet aeroplani duke u copëtuar në disa pjesë, çka tregon se ai është shkatërruar në ajër. Ende nuk dihet nëse kjo ndodhi për shkak të një defekti serioz mekanik — ndoshta gjatë një riparimi — apo nëse është goditur nga një raketë apo dron, duke marrë parasysh tensionet në rajon. Nuk përjashtohet as një hipotezë e tretë, ajo e eksplozivit të vendosur në bord.

1762883411_avioniturkirrezuar.JPG

Avioni ishte nisur nga aeroporti ndërkombëtar i Ganjës, në Azerbajxhan, në orën 14:19 me orën lokale (11:19 me orën shqiptare) të martën, më 11 nëntor. Sipas të dhënave të faqes Flightradar24, në orën 14:41 C-130 kishte arritur lartësinë e fluturimit prej 24 mijë këmbësh (rreth 7,315 metra). Sinjali i fundit u regjistrua në 14:49 e 20 sekonda, kur avioni po udhëtonte me shpejtësi rreth 519 km/orë.

“Avioni ynë ushtarak C-130, i nisur nga Azerbajxhani dhe i destinuar për në Turqi, u rrëzua në kufirin mes Gjeorgjisë dhe Azerbajxhanit,” konfirmoi Ministria Turke e Mbrojtjes. “Operacionet e kërkim-shpëtimit kanë nisur tashmë në bashkëpunim me autoritetet përkatëse.”
Presidenti Recep Tayyip Erdoğan shprehu “dhimbje të thellë” dhe “ngushëllime” për “familjet e martirëve”.

Në pamjet  e analizuara, shihet pjesa qendrore e trupit të avionit — ajo me krahët — e cila përputhet dukshëm me formën e një C-130. Mungojnë, megjithatë, pjesa e përparme (kabina dhe ndarja e ngarkesës) dhe pjesa e pasme (bishti dhe ndarja e pasme e ngarkesës).

Avioni C-130 është prodhuar nga kompania amerikane Lockheed Martin dhe përdoret gjerësisht nga forcat ajrore në mbarë botën për transport trupash, pajisjesh dhe mjetesh ushtarake. Ai ka katër motorë turbohelikë dhe mund të ngrihet e ulet edhe në pista të vështira.

Avioni i rrëzuar ishte ndërtuar në vitin 1968 dhe fillimisht kishte shërbyer në forcat e armatosura të Arabisë Saudite. Sipas të dhënave ajrore, ai ishte përfshirë në flotën turke në mars të vitit 2010./Corriere Della Sera