Avokatët e çështjes Veliaj kanë shprehur hapur indinjatën e tyre lidhur me moskthimin e një përgjigjeje nga Inspektorati i Lartë i Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, të cilat duhet të shprehen për një ankesë drejtuar atyre nga kryebashkiaku Erion Veliaj disa ditë më parë, për përjashtimin nga çështja të prokurorit Ols Dado, i cili është në konflikt të hapur interesi sipas tij.
“Jam i indinjuar nga ILD dhe KLP, sepse janë në inaktivitet të plotë. E para e punës, kërkesave jo vetëm duhet t’u kthesh përgjigje në kohë reale, por je një institucion që paguhesh, ke edhe instrumentat e tua, ke kapacitetin njerëzor, dhe duhet të ushtrosh kontroll. Jo më kur vihesh në dijeni nga një person, i cili është kryetari i Bashkisë. Kur mendohet që ti nuk je vënë në lëvizje nga kryetari i Bashkisë, i cili ndodhet i arrestuar, çfarë do ndodhë me ne të tjerët? Ndaj, nëse drejtësia ka një faturë negative, është edhe përgjegjësia e këtyre institucioneve”, tha avokati Maks Haxhia, në një takim me gazetarët.
"Ne nuk kemi asnjë informacion nga KLP dhe ILD se çfarë po kryen në lidhje me ankesat e z. Veliaj", tha edhe avokati i Veliajt, Ermir Beta.
Avokatët e çështjes Veliaj kanë hedhur dritë edhe mbi një pikë tjetër të rëndësishme, siç është pretendimi i prokurorit Ols Dado se kryebashkiaku Veliaj ka intimiduar me sms agjentin e BKH.
Avokati i Veliajt, Ermir Beta shpjegoi në takimin me gazetarët, se përmbajtja e SMS nuk ka asgjë intimiduese. Beta shpjegoi edhe detajet.
“Nuk mund të flitet për intimidim për gjyqtarë të cilët janë super të trajnuar dhe të paguar. Nuk mund të flitet për një intimidim të një hetuesi, i cili të nesërmen, ose disa ditë më pas, hyn lirshëm në zyrën e kryetarit të Bashkisë për të marrë çfarëdo lloj dokumentesh që i vlerësonte të nevojshme. Nuk bëhet fjalë për intimidues. Cili është konteksti? Konteksti është që z. Veliaj, edhe në momentin kur është ushtruar kontroll ndaj znj. Xoxa në Dhjetor 2024, ka qenë në udhëtim pune jashtë shtetit. Ai është gjetur në situatën që ndaj familjes së tij, bashkëshortes, është ushtruar kontroll. Është një gjë që nuk ndodh përditë dhe shkakton një tronditje. Znj. Xoxa është thirrur dhe është pyetur për afro 9-10 orë si person që ka dijeni, po në dhjetor 2024. Natyrisht, është një proces që nuk është se kalon shumë lehtë për persona që nuk janë mësuar të trokasin në atë godinë që të hyjnë dhe të jenë subjekt pyetjesh. Ka rastisur që një nga hetuesit që e ka marrë në pyetje disa ditë më parë, ka parë të nevojshme që të pyesë znj. Xoxa për fakte që ai e gjykonte të domosdoshme dhe të nevojshme. Dhe ka bërë një komunikim nëpërmjet telefonit, me ëhatsup ose sms, ku i është kërkuar ditë të shtunë të thirrej në SPAK për të dhënë disa deklarime shtesë. Rezulton që edhe në atë ditë z. Veliaj ka qenë në udhëtim jashtë shtetit dhe ata jetojnë vetëm, të tre, bashkë me djalin e tyre të mitur. Imagjino tani, të jesh vetëm me fëmijë, je thirrur më parë dhe ke dhënë dëshmi 9 apo 10 orë për çfarë është dashur për të gjithë jetën tënde dhe ditë të shtunë që ti mendohet se do të pushosh të marrësh prapë një telefonatë nga një oficer i BKH-së, që thotë hajde edhe njëherë, përjetoje edhe njëherë atë situatë. E para, bashkëshorti nuk është. E dyta, fëmija me kë do të rrijë? Natyrshëm që këtë situatë t’ia përcjellësh bashkëshortit që nuk është aty pranë teje, është në udhëtim jashtë shtetit, është shumë larg, i cili krijon një perceptim të tijin për këtë situatë. Dhe në tekstin që unë e kam, por që nuk mund ta vendosim në dispozicion, nuk ka asgjë intimiduese”, tha avokati Beta.
Komente









